Dita e 96-të e revoltës/ Protestuesit rikthehen në shesh, paralajmërohet përshkallëzim: Rama, jep dorëheqjen
Protesta qytetare kundër qeverisë hyn sot në ditën e 96-të, duke vijuar një aksion që prej më shumë se tre muajsh ka sjellë tubime dhe marshime të përditshme në kryeqytet. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa ditët e fundit aksioni është shoqëruar me tensione, përplasje me policinë dhe paralajmërime për përshkallëzim të mosbindjes civile.
Dita e 95-të, e zhvilluar të mërkurën, nisi në sheshin “Skënderbej”, ku qytetarët dhe aktivistët u mblodhën përpara se të marshonin drejt Kryeministrisë. Gjatë tubimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e Ramës, ndërsa më pas protesta u zhvendos te Blloku I Sigurisë, ku mbahen 14 personat e arrestuar të martën pas përplasjeve te Kryeministria.
Në marshim, protestuesit hodhën thirrjet “Ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Rama jepe dorëheqjen”.
Protesta e 95-të erdhi vetëm një ditë pas një prej episodeve më të tensionuara të revoltës. Në ditën e 94-të, protestuesit pasi mësuan se Rama ndodhej në zyrë, u pozicionuan pranë hyrje-daljeve të godinës dhe qëndruan aty për rreth dy orë. Në terren u shtuan forcat policore, përfshirë efektivë të FNSH-së, ndërsa u vendos edhe një autobot uji. Pas përplasjeve pati shoqërime të protestuesve në komisariate.
Pikërisht ngjarjet e ditës së 94-të dominuan edhe fjalimet e protestuesve të mërkurën.
Ata kritikuan ndërhyrjen e policisë dhe kërkuan lirimin e personave të shoqëruar, ndërsa pati edhe thirrje për vijimin e mosbindjes civile. Një nga aktivistët paralajmëroi se aksioni mund të shtrihet në bllokimin e arterieve të vendit, deklaratë që përfaqëson qëndrimin e protestuesit dhe jo një plan zyrtar të konfirmuar nga autoritetet.
Në protestën e djeshme u bashkuan edhe studentë, të cilët mbanin pankarta me mesazhet “Bashkohuni studentë, kombi na thërret” dhe “Studentët janë këtu”. Mbërritja e tyre u shoqërua nga thirrjet “Pa rini nuk ka Shqipëri”.
Ndërkohë, vëmendja e protestuesve po zhvendoset drejt 7 shtatorit, kur aksioni pritet të arrijë në ditën e 100-të. Sipas paralajmërimeve të bëra gjatë tubimit të së mërkurës, për atë ditë synohet një mobilizim më i madh dhe protestuesit kanë deklaruar se do të tentojnë të rrethojnë të gjithë godinën e Kryeministrisë.








