“Djajtë e Kuq” nxjerrin në shitje tre emra të mëdhenj

Triumfi 2-1 ndaj Çellsit në “Old Trafford” ka bërë që Man. Junajted të ngjitet në vendin e 6, vetëm tre pikë larg Man. Sitit që mban vendin e katërt të renditjes, ose të fundit që të jep një biletë për zonën Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Erik Ten Hag vuan mungesën e vazhdimësisë, megjithatë trajneri holandez gëzon besimin e drejtuesve të klubit, të cilët i kanë lënë dorë të lirë edhe për merkaton e janarit, ku “djajtë e kuq” do të operojnë kryesisht në dalje.
Kështu me kërkesën e trajnerit holandez, Man. Junajted do të marrë në konsideratë ofertat që do të vijnë për Xhadon Sançon, Kasemiron dhe Rafael Varane. Të tre këta futbollistë iu bashkuan “Djajve të Kuq” me bujë të madhe, por që këtë sezon kanë zbritur ndjeshëm në hierarkitë e tyre.
Sanço ka mbetur jashtë grupit që në fillim të sezonit dhe po kërkon me ngulm largimin, pasi nuk dëshiron të humbë edhe Europiain e 2024-ës, ndërsa Kasemiro dhe Varane kanë luajtur me pikatore dhe nuk shihen më si titullarë nga Ten Hag.
Për Sançon nuk mungojnë ofertat, megjithatë Man. Junajted synon ta huazojë te Dortmund deri në fund të sezonit. Në këtë mënyrë anglezi do të mund të luajë rregullisht dhe vlera e kartonit të tij mund të rritet sërish. Sa u përket Kasemiros dhe Varane, për të cilët Man. Junajted pagoi më shumë se 110 milionë euro për t’i marrë nga Reali, situata ndryshon jo pak. Të dy kanë kaluar tashmë të 30-at dhe për më tepër, kanë paga shumë të majme, ndaj jo çdo klub do të kishte luksin t’i transferonte.
Shpresat e drejtuesve të klubit anglez janë që në lojë të hyjë Paris Sen Zhermeni, klub francez që ka buxhet të palimituar dhe për më tepër nevojë për eksperiencë në qendër të mbrojtjes e mesfushës.