Do të bashkohen dy Agjencitë e Sigurisë

Do të bashkohen dy Agjencitë e Sigurisë

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri Hristijan Mickoski konfirmoi planin e qeverisë për bashkimin e shërbimeve të sigurisë. Ky plan, që daton që nga reformat e shërbimeve sekrete që erdhi pas Marrëveshjes së Përzhinës, sipas Mickoskit, do të zbatohet brenda disa muajsh.

“Edhe kjo është pjesë e programit të qeverisë së re, që Agjencia e zbulimit dhe Agjencia për Siguri Kombëtare të bashkohen në një Agjenci dhe ky do të jetë një proces që do të zgjasë disa muaj. Pres që me sukses të përfundojë në Kuvend. Ky lloj i bashkimit të shërbimeve kanë bërë shumë shtete që janë anëtare të NATO-s. Mes tyre, edhe fqinjët Sllovenia në fund të viteve 90 dhe më pas Kroacia në fillim të këtij shekulli. Kështu që ky është detyrim i qeverisë dhe do ta bëjmë në muajt që vijnë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Bashkimin e agjencive sekrete, Agjencisë për Siguri Kombëtare e cila për momentin është në kompetenca të Qeverisë dhe Agjencisë së Zbulimit e cila është në kompetenca të Presidentit, e kishte premtuar edhe qeveria e kaluar. Megjithatë, sipas tyre, duhej të kalonte kohë për krijimin e kushteve që këto institucione të bashkëvepronin dhe të shkrihen në një të vetme. Ky premtim, nuk u realizua. Kërkesa për unifikimin e tyre vjen edhe si pasojë e një efikasiteti më të madh të shërbimeve sekrete pas anëtarësimit të vendit në NATO.

Pas bashkimit të këtyre institucioneve, Mickoski nuk dha më shumë informacione se kush dhe si do të udhëheqë me to. Megjithatë, nga VLEN ditë më parë thanë se pas bashkimit, pozita e zv/drejtorit do t’u takojë atyre që të emërojnë kuadër.

E deri sa dy agjencitë e shërbimeve sekrete të bashkohen, Presidentja Gordana Siljanovska Davkova ka emëruar tashmë drejtore dhe zv/drejtore të re në Agjencinë e Zbulimit edhe atë Gabriella Jakovleva drejtore dhe Ivana Stojanovska, zv/drejtore.

Publikisht pati dhe reagime që nuk janë respektuar kushtet ligjore gjatë emërimit në rastin e zv/drejtores. Reagimet ishin edhe në drejtim të mospërfaqësimit etnik të shqiptarëve. Por, nga Presidenca thonë zv/drejtorja e re i plotëson kushtet prej të paktën 10 vjet përvojë punë në fushën e sigurisë, nga të cilat të paktën pesë vjet në pozitë drejtuese në Agjencinë e zbulimit, kurse gjatë emërimit, janë udhëhequr vetëm nga interesat nacionale./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button