“Doje drit, o qiell, more dritën time”
"Doje drit, o qiell, more dritën time"
Poezi e shkruar nga Andon Zako Çajupi.
Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë,
lotët që kam derdhur s’më janë dhe tharë!
Shumë vjet u bënë, sot u mbushën dhjetë,
që kur më ke lënë dhe s’të shoh në jetë!
Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua? S’të vjen mall për djalë?
O ëngjëll i bukur, mos mëno në botë,
kthehu të të shomë, të na mbeten lotë.
S’rrojmë dot pa tynë, ti si rron pa neve?
Motemot që rrojtëm bashkë, s’më urreve.
Atje. tek rri janë qipariz’ e varre. ..
Kthehu të të shomë, mos na le për fare!
Mos na le të gjorë, me zemër të ngrirë,
kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë;
E ke lenë foshnje, tani u bë burrë,
s’arrite ta rritje, s’të ka parë kurrë!
Për ty shumë herë çoç do të më thotë.
po s’mund t’i përgjigjem, se më mbytin lotë:
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë,
duke psherëtitur te zot’ i vërtetë.
O zot i vërtetë, s’t’erdhi keq për djalë,
kur i more mëmën dhe më le të gjallë?
Të më keshe marrë, do të qe më mirë
dhe të rronte mëma, të rriste të birë.
Me se rrojnë foshnjat? Ç’i rrit çilimitë?
Dashuria e mëmës dhe përkëdhelitë.
0 zot, të jam falë, mos më le të mjerë,
dërgom’ Evgjeninë ta shoh dhe një herë!
“Pse s’kuvëndon mirë, more punëbardhë,
cili vdiq njëherë dhe prapë ka ardhë?
Gjith’ humbasën gruan, mëmën e babanë,
po ata që mbetën si ti nukë qanë:
të vdekurin lotët s’e bien në jetë,
po lutu dhe falu të rriç djalën vetë.
Doje drit, o qiell, more dritën time
dhe më mbushe jetën plot me hidhërime!
Tani rroj pa shpresë, ndaj s’dua të rroj,
se dhe perëndinë tani s’e besoj!