Donacione të pakta ndërsa Jemeni ndeshet me katastrofë humanitare

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres shprehu të hënën zhgënjim se konferenca e donatorëve për Jemenin kishte grumbulluar më pak se gjysmën e rreth 4 miliardë dollarëve që nevojiten për të shmangur urinë katastrofike që mund të lërë miliona të vdekur në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

“Miliona fëmijë, gra, persona në nevojë në Jemen kanë nevojë për ndihmë që të mbijetojnë. Ndërprerja e ndihmave është dënim me vdekje,” tha zoti Guterres.

Zotimet për 1.67 miliardë dollarë donacione në konferencën e zhvilluar përmes internetit dhe të organizuar nga OKB, Zvicra dhe Suedia, janë 1.9 miliardë dollarë më pak se shuma e nevojitur për të dërguar ndihma jetike për këtë vit.

Kjo shumë është më e vogël se donacionet që OKB mblodhi për planin e ndihmave të vitit të kaluar. Fondet e mangëta kanë çuar në shkurtimin e programeve kritike dhe reduktimin e racioneve ushqimore, duke lënë shumë jemenas në nivel urije të rrezikshme.

“Të shpresojmë se zotimet e sotme janë një këst i parë në përgjigje të urisë më të rëndë që ka parë bota në dekada,” tha zoti Guterres.

Lufta që vazhdon prej gjashtë vjetësh mes qeverisë jemenase të mbështetur nga sauditët dhe kryengritësve huti që gëzojnë mbështetjen e Iranit e ka çuar këtë vend, më i varfri në Lindjen e Mesme, në një gjendje pranë katastrofës humanitare.

LEXO EDHE:

Back to top button