Drake me mesazh misterioz për “kapitullin e radhës”

Drake me mesazh misterioz për “kapitullin e radhës”

Reperi kanadez, Drake, ka nxitur spekulime të shumta me një postim enigmatik në rrjetin social Instagram, duke paralajmëruar se kapitulli i tij i ardhshëm mund të mos jetë për të gjithë.

“Billboard” ka raportuar se reperi kanadez ndau një mesazh të gjatë ditë më parë, duke theksuar se ka qenë gjithmonë jokonfliktual, por tani po e sheh lojën ndryshe.

“E di që jam rritur duke shmangur përplasjet dhe gjithmonë e kam trajtuar këtë lojë si një sport ku pena ime fitonte medaljen e artë. Por, këto ditë, podiumi ka qenë i vështirë për t’u injoruar për të gjithë ne”, ka shkruar ai.

Shumë adhurues kanë shkruar se ky mesazh mund të lidhet me përplasjen e tij të vazhdueshme me reperin Kendrick Lamar, e cila u intensifikua pasi Lamar performoi këngën thumbuese “Not Like Us” në spektaklin “Super Bowl”, vetëm pak ditë pasi ai fitoi disa çmime “Grammy”, përfshirë çmimet “Kënga më e mirë e vitit” dhe “Video më e mirë e vitit”.

Drake më herët kishte paralajmëruar një kundërpërgjigje në këtë konflikt, ndërsa Lamar e kishte adresuar këtë sfidë duke thënë se “ka vetëm një mundësi për të fituar një kampionat, nuk ka raund të dytë”.

Sipas “Billboard”, në postimin e tij, Drake lë të kuptohet se raundi i ardhshëm mund të jetë i parehatshëm për disa njerëz dhe sugjeron se dikush po i dërgon mesazhe.

“E kuptoj që ky kapitull i ardhshëm mund t’ju bëjë të ndiheni të pasigurt, por shpresoj që ta shihni ndershmërinë time si qartësi dhe jo si mëshirë, duke dhënë përgjigje për disa pyetje, veçanërisht për mesazhet që më keni dërguar, të cilave nuk u jam përgjigjur”, ka përfunduar ai.

Ndër fotot që e shoqëruan postimin, përveç selfieve dhe imazheve nga koncertet, ai ka përfshirë edhe një pamje nga filmi “Phantom Thread” (i vitit 2017) dhe një fotografi të dy pilulave Zofran, një medikament, që sipas Mayo Clinic, zakonisht përdoret për të parandaluar të përzierat apo mundimin e shkaktuar nga kimioterapia.

Nuk dihet ende se çfarë ka në plan Drake, por postimi i tij vjen pas publikimit të albumit “Some Sexy Songs 4 U” me reperin kanadez Jahron Anthony Brathwaite, i cili njihet me emrin skenik PartyNextDoor, dhe shtyrjes së disa datave të turneut të tij në Australi dhe Zelandën e Re, për shkak të një “konflikti në orar”.

LEXO EDHE:

Back to top button