“Dredhitë e Patukut të At Gjergj Fishtës”, më 10 shtator në skenën e Teatrit të Tetovës
“Dredhitë e Patukut të At Gjergj Fishtës”, më 10 shtator në skenën e Teatrit të Tetovës

Gazetar: Bashkim Sulejmani
“Dredhitë e Patukut” të at Gjergj Fishtës, i ndaluar në periudhën e komunizmit në Shqipëri, më 10 shtator vjen në skenën e Teatrit të Tetovës. Regjisori Kushtrim Bekteshi ka vendosur edhe dy role të femrave në këtë komedi me qëllim, siç thotë ai të vihet në pah edhe elementi i burrneshës që në viset e malësisë së Shkodrës ka qenë shumë i theksuar, por edhe narracionin përgjatë shfaqjes, me qëllim që, publiku, përveç që do njihet me dredhitë e patukut, të njihet edhe me historikun e errët të kësaj shfaqjeje të Fishtës.
“Edhe një gjë është specifike se kjo shfaqje do luhet në dialektin e gegnishtes, me qëllim që ti përmbahemi sa më shumë gjuhës origjinale të Fishtës, pa e cënuar fare autorsinë e autorit, pra nuk është prekur aspak autori brenda përmbajtjes së veprës, përveç që unë në këtë rast përzgjodha dy personazhe vajza dhe njërën nga aktoret e shndërruam në burneshë. Ndërsa kam shtuar edhe një pjesë të narratorit, pjesë që shkrova unë jashtë tekstit sepse doja që këtë histori pra tekstin e Fishtës që ka histori dramatike ta ndaj me publikun që të dihet se si mbijetoi ky tekst”, deklaroi Kushtrim Bekteshi, regjisor.
Festivali i këtij viti në Tetovë po realizohet me një buxhet prej vetëm 9500 eurosh.
“Festivali për këtë vit ka vetëm rreth 600.000 denarë, pra duhej të sakrifikonim shkaku i buxhetit pjesën më të shenjtë të festivalit që është garues, andaj këtë vit e kemi vetëm revial. Vendosëm që ta hapim festivalin me këtë shfaqje. Natën e Fundit kemi shfaqjen Krahët e bletës të teatrit të Podujevës, një Shfaqje tjetër vjen nga teatri i Bursës së Turqisë, Tre udhëtimet e lobotomobilit, natën e dytë kemi shfaqjen në gjuhën maqedonase, “Çudesna terapia” e Dimçe Nikolloski, pastaj një shfaqje tjetër, është Çifti i Hapur bashkëpunim mes Teatrit të Gostivarit dhe teatrit të Durrësit në regji të Sulejman Rushitit”, tha Abdullah Osmani, drejtor i Teatrit të Tetovës.
Drejtori i Teatrit të Tetovës Abdullah Osmani kërkon që kompanitë dhe Komuna të ndihmojnë në realizimin e suksesshëm të edicionit të nëntë të festivalit të Teatrove. Shfaqja Dredhitë e Patukut e At Gjergj Fishtës, do të jetë edhe premiera që do hap këtë Festival. /Alsat.mk