Drejtori i M-NAV-it me tone zbutëse për sulmin e një dite më parë ndaj kontrollorëve
Drejtori i M-NAV-it me tone zbutëse për sulmin e një dite më parë ndaj kontrollorëve

Gazetar: Adnan Qaili
Pas incidentit të ndodhur në M-NAV, drejtori i këtij institucioni shtetëror për kontrollimin e fluturimeve civile, Fahrudin Hamidi tha se është i gatshëm të bashkëpunoj me autoritetet për zbardhjen e plotë të rastit. Hamidi tha se nuk ka komunikuar as dje e as sot me këshilltarin e tij, Bekim Nezirin i cili sulmoi të punësuarit në kullën e radarëve të M-Nav me shtatë persona të tjerë. Ai tha se kreu i sindikatës ka hedhur “benzinë në zjarr” duke bërë presione me grevë dhe bllokim të hapësirës ajrore të vendit, me anulimin e konkursit të fundit për punësim, i cili u bë ogurzi për të shpërthyer grushtet në M-Nav.
“Në atë pjesë nuk mund të hyjë më tej, ka ndodh një ngjarje e pahijshme që nuk duhej të ndodhte, por bëhet fjalë për konflikt që ka ndodhur ndërmjet dy personave që janë njohur 20 vite, bashkë kanë qenë në shkollë. Për shkak se organet janë duke u marr me rastin, në interes të hetimit, ka kamera dhe shumë gjëra që janë brenda, hetimi le ti tregojë. Nuk dua të hy më tej! Ka një energji të akumuluar, të kuptohemi nuk ishin të gjithë në një anë apo tjetrën, Ju thashë që interesat lukrative të Tasevskit e ka bërë të vetën, dhe besoj se disa njerëz që nuk pajtohen me të, kanë shkaktuar një nervozë. Ai është vet nepotizmi, për fat të keq ai ka kaluar gjitha kufijtë. Babai tij kur ishte kreu i kontrollorëve Tasevski është punësuar në M-NAV, dhe poashtu vëllai i tij. 3 persona na një familje! Klane të tilla në M-nav ekzistojnë e ka 5-6 të tillë”, tha Fahrudin Hamidi, Drejtor në M-NAV.
Ndërkaq, Qeveria në seancën e ardhshme, më datë 9 janar, me nismë të kryeministrit Dimitar Kovaçevskit dhe në konsultim me ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska dhe ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski do të vendosin për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit drejtues të M-NAV, duke hapur procedurën për anëtarë të rinj si dhe do të kërkojnë revizion të punës së deritanishme të M-NAV nga institucionet përkatëse.
“Të shkarkohet i gjithë menaxhmenti dhe të gjithë anëtarët e Bordit Drejtues. Të hapet një procedurë urgjente për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të menaxhmentit dhe të Bordit Drejtues në një proces publik, transparent dhe të përcaktuar me ligj. Do t’i bëjmë thirrje Prokurorisë Publike, Komisionit Shtetëror për parandalimin e Korrupsionit, Entit Shtetëror i Revizionit, Policisë Financiare dhe organeve ndërkombëtare të kontrollit të trafikut ajror që të bëjnë revizion të punës së mëparshme të M-NAV.”, thanë nga Qeveria.
Përndryshe, më 4 janar, në orët e pasdites kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Fluturimit, Aleksandar Tasevski, ka alarmuar që disa persona kanë ardhur me vetura në hapësirat e punës, pa u penguar nga sigurimi, kanë hyrë në objekt duke shkaktuar probleme. Ndërkaq, në konferencë për shtyp konfirmoi se është thirrur në Polici, pasi që paraprakisht është paraqitur për kërcënim nga drejtori ekzekutiv i M-NAV, Fahrudin Hamidi dhe një prej tre drejtorëve, Hasim Deari. Ngjarjet e këtilla kanë ndodhur pasi që Tasevski ka akuzuar se në M-NAV po punësohen persona partiakë dhe familjarë në pozita të shpikura, nëpërmjet shpalljeve të dyshuara. Kontrollorët disa herë kanë kërcënuar me grevë, ndërkaq së fundmi dhanë dorëheqje 7 inxhinierë nga Sektori për Teknikë Ajrore, pasi që sipas tyre, janë pranuar në punë kuadro jopërkatës për inxhinierë dhe instruktorë. Pretendimet e këtilla i ka hedhur poshtë drejtori Hamidi dhe kompania M-NAV. Mosmarrëveshje mes Sindikatës dhe drejtorit Hamidi ka pasur edhe në vitin 2022, kur Sindikata akuzoi se Hamidi dëshiron ta shfuqizojë shpalljen për kontrollues të fluturimit, pasi prej 270 të paraqiturve, vetëm 8 kandidatë e kanë kaluar testimin, në mesin e të cilëve nuk janë edhe fëmijët e disa prej funksionarëve partiak të BDI-së. Edhe këtë akuzë, asokohe e mohoi Hamidi./Alsat.mk