Dueli Usyk-Fjuri drejt shtyerjes së përballjes për muajin shkurt të vitit 2024

Dueli i unifikimit të titujve kampion bote në peshën e rëndë mes britanikut Tajson Fjuri (VBC) dhe ukrainasit Oleksandr Usyk (VBA, VBO, IBF) është shtyrë për në shkurt.

Lajmin e konfirmoi gazetari i njohur Majk Kopinger për “ESPN”, që tha se vendi i sfidës nuk ndryshon, në Arabinë Saudite. Kjo përballje ishte planifikuar për t’u zhvilluar më 23 dhjetor, por sfida që Fjuri zhvilloi pak ditë më parë me Ngannou në Arabi, ku fitoi me vendim shumice, ka prishur planet.

“Mbreti Cigan” kërkon më shumë kohë për të rikuperuar nga plagët e marra në këtë sfidë, ku edhe përfundoi në tapet në raundin e tretë. Të dy boksierët janë të pamposhtur në karrierën e tyre: Fjuri me 34 fitore, asnjë humbje e 1 barazim, ndërsa Usyk me 21 fitore e asnjë humbje.

Tifozët shpresojnë ende që palët të konfirmojnë 23 dhjetorin, duke shpresuar që Fjuri të tregohet një luftëtar i vërtetë e të mbajë fjalën për atë datë. Për sa kohë që dy boksierët do të përplasen mes tyre, në dhjetor apo shkurt, kjo duket se nuk përbën ndonjë problem të madh për ta.

Kjo do të thotë se brenda 2024-ës ata do të zhvillojnë edhe revanshin, që është një klauzolë në kontratën e tyre. Fansat dëshirojnë të shohin këtë përballje të madhe në ring.

LEXO EDHE:

Back to top button