Duke e mbajtur gjallë traditën: Presidenti italian ka 60 vjet që drejton një “Lancia” të vjetër
Duke e mbajtur gjallë traditën: Presidenti italian ka 60 vjet që drejton një "Lancia" të vjetër

Lancia Flaminia është limuzina presidenciale e Italisë që ka mbijetuar për më shumë se gjashtë dekada dhe ka shërbyer si frymëzim për modelet e ardhshme.
Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, hapi festimet e Ditës së Republikës në Romë të hënën – në limuzinën legjendare presidenciale “Lancia Flaminia”.
Kjo datë shënon formimin e Republikës Italiane në vitin 1946, dhe “Flaminia” ka simbolizuar elegancën dhe traditën shtetërore për më shumë se 60 vjet.
Gjashtëdhjetë vjet në shërbim të shtetit
“Lancia Flaminia” ka qenë automjeti zyrtar presidencial që nga viti 1961 dhe përdoret ekskluzivisht për raste të veçanta, siç janë festimet më 2 qershor ose inaugurimet presidenciale në Pallatin Quirinale.
Gjatë dekadave, kjo limuzinë luksoze është përdorur nga shumë udhëheqës botërorë, përfshirë Mbretëreshën Elizabeth II, John F. Kennedy dhe Charles de Gaulle.

Serial special vetëm për presidentin
Modeli “Flaminia” u prezantua në Panairin e Automobilave në Gjenevë në vitin 1957 me një motor “V6” 2.5 litra.
Versioni presidencial, i prodhuar në vitin 1961, mban emërtimin “335”, që i referohet bazës së rrotave prej 335 centimetrash, dhe dizajni është nënshkruar nga “Pininfarina” e famshme.
Presidenti i parë që zgjodhi këtë limuzinë ishte Giovanni Gronchi, dhe u prodhuan vetëm katër shembuj në total, secili i emëruar sipas kuajve nga stalla presidenciale: Belfiore, Belmonte, Belvedere dhe Belcito.

Luks pa kompromis
Të gjitha automjetet janë blu të errët, me një interier të veshur me lëkurë të zezë “Connolly”, një sistem interkomi për komunikimin me shoferin, pesë sedilje në pjesën e pasme (një stol dhe dy të palosshme) dhe detaje të denja për një kryetar shteti.
Pas restaurimit në vitin 2001, dy makina – “Belfiore” dhe Belvedere – mbeten të ruajtura në garazhin presidencial.

Frymëzim për modelet e së ardhmes
Lancia Flaminia presidenciale është një nga nëntë modelet historike të Lancias që do të shërbejnë si frymëzim për automjetet e së ardhmes.
Linjat e saj elegante, forma aerodinamike dhe dizajni fluid do të mbarten në modelin e ri “Gamma”, prodhimi i të cilit do të fillojë në vitin 2026 në fabrikën e Melfit.