Duro: Debutim historik, pavarësisht eliminimit treguam nivel

E konsideron fantastik debutimin e Strugës në Ligën e Kampionëve, por sigurisht me keqardhjen e madhe për atë barazim të shpejtë të Zhalgirisit, që nuk i dha kohë për të bërë ndryshimet e duhura për të ruajtur epërsinë.
Shpëtim Duro, trajner i kampionëve të Maqedonisë së Veriut, sheh përpara, me dëshirën e madhe për të vijuar me sukses rrugëtimin europian në Ligën e Konferencës.
“Ishim pranë një kualifikimi historik, ishte mundësia, por në momentet me vendimtare skuadra humbi përqendrimin, sidomos në pësimin e golit të barazimit.
Barazimi na prishi gjithçka, po përgatitesha për ndërrimet. Edhe mund të barazonim. Më vjen keq, sepse bëmë një ndeshje të mirë, kaluam në avantazh në një moment pozitiv, por u barazuam shpejt dhe nuk na u la kohë për të menaxhuar epërsinë,” tha mes tjerash Duro.
Diferenca me Zhalgirisin
“Pavarësisht eliminimit, treguam nivel, kundërshtari ynë është në kampionat e sipër, kurse për ne ishte ndeshja e dytë zyrtare. Skuara ka bërë debutim fantastik, sigurisht që kualifikimi do të ishte super fantastik”.
Ndeshja e radhës, përballë Buducnostit
“Është kampion i Malit të Zi, kundërshtar shumë serioz, por ne do të vazhdojmë për më të mirë. Ky ishte fati ynë. I inkurajova çunat pas ndeshjes, ishte debutim historik dhe duhet të shohim para,” tha në fund Duro.