‘Dy komisione nuk gjetën gabime mjekësore’

Gazetar: Adnan Qahili
Njëri nga mjekët e kontaktuar nga Alsat, Muhamet Hasani mohon akuzën e prokurorisë duke thënë se ekipi i mjekëve kishte arritur ti shpëtonte jetën pacientëve dhe se kjo është konstatuar edhe nga dy komisione, i Odës së mjekëve dhe i Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërkohë pacientja që kishte pësuar gjatë lindjes, Jëlldiz Veaposka në një prononcim për Alsat kërkon drejtësi për rastin e saj. Ajo thotë se mjekët jo vetëm që i hoqën asaj të drejtën e lindjes, por edhe i rrezikuan jetën, shkruan Alsat.
“Çdo herë kam dashur të kem edhe një fëmijë, por shumë e rëndë është kur e dëgjon se më nuk do të kesh fëmijë tjetër, por dashtë Zoti këta dy fëmijë që kam të jenë mirë.”
Jelldiz Veaposka thotë se është në gjendje të rëndë psikologjike, nga që gjithmonë kanë dashur të kenë së paku tre fëmijë, por ajo thotë që këtë dhunti të Zotit, ia mohuan mjekët. Ajo ka djalin 7 vjeç, dhe vajzën 18 muajsh, Hazellin, e cila lindi natën kur Jelldiz po luftonte për jetë a vdekje. Jelldiz uron që ky të jetë rasti fundit që mund ti ndodh një nëne, por kërkon drejtësi e mjekët të marrin dënimin e merituar.
“Dymbëdhjetë orët e para kur u zgjova, që erdha në vetëdije pas operacionit unë kisha një dhimbje shumë të madhe, mendoja se veshka me del nga vendi. Unë ankohesha, u thash doktorëve se diçka nuk është në rregull me mua, kam shumë dhimbje. Ata më thoshin mos bën ashtu s’ke asgjë, ato janë nga lindja e dytë, nuk më bënë asnjë kontroll. Unë u lutesha, si motër medicinale të më bëjnë në Ekografi, të shohin se çfarë po ndodh me mua. Ata pesë ditë më mbajtën ashtu, dy ditë qëndrova në shok-dhomë, tre ditë tjera ata deshën të më përzënë nga spitali, të më lëshojnë në shtëpi”, tha Jelldiz Veaposka, Paciente e dëmtuar
Gjinekologu Muhamed Asani, i cili është i dyshuari i parë sipas aktakuzës, përmes telefonit na tha se nuk është në dijeni të hapjes së lëndës nga Prokuroria. Ai që para dy vitesh ishte drejtori i Spitalit të Strugës, kur ndodhi ngjarja, rrëfen se kjo akuzë bie në kundërshtim me konstatimet e dy komisioneve mjekësore.
“Nuk e di në çfarë baze prokuroria ka ngritur aktakuzë, kur dy komisionet: i pari i formuar nga Oda e mjekëve, i cili është organ legjitim për verifikim të rasteve të këtilla dhe përfundimin ishte se nuk ka pasur gabim mjekësor. Komisioni i dytë ka qenë nga vetë Ministri, nga Ministria e Shëndetësisë, i cili po të njëjtën gjë ka verifikuar, dmth që nuk ka gabim mjekësor”, tha Muhamed Asani, Gjinekolog i akuzuar
Mjeku Asani thotë se nuk e vret ndërgjegjja meqë ka arritur ti shpëtoj jetën pacientes. Ai tha se falë punës së bërë nga ekipi mjekësor i përbërë nga dy gjinekologë, dy kirurgë dhe dy anesteziologë, Jelldiz sot është gjallë. Kujtojmë se pas kësaj ngjarje, Ministri i atëhershëm Venko Filipçe e shkarkoi nga detyra e drejtorit, mjekun Asani. /Alsat.mk