Dy konservatorë tërhiqen nga gara për president të Iranit

Dy konservatorë tërhiqen nga gara për president të Iranit

Alireza Zakani, kryetari konservator i Teheranit, njoftoi se është tërhequr nga gara për president të Iranit, duke iu bashkuar një kandidati tjetër që heqë dorë, për ta ndihmuar kampin e krahut të ashpër konservator të gjejë pajtim për mbështetjen e një kandidati të vetëm.

Zakani e bëri këtë njoftim në rrjetet sociale më 26 qershor, pak kohë pasi Amirhossein Qazizadeh Hashemi hoqi dorë nga gara.

Irani mban zgjedhje presidenciale më 28 qershor, për ta zëvendësuar të ndjerin Ebrahim Raisi, i cili e humbi jetën nga rrëzimi i helikopterit në maj.

Zgjedhjet në republikën islamike janë të kontrolluara, pasi kandidatët përzgjidhen paraprakisht nga një trup i pazgjedhur, i cili është i mbizotëruar nga konservatorët e krahut të ashpër.

Që të gjithë gjashtë kandidatët e përzgjedhur për garën për presidentë janë burra, shumica të krahut të ashpër, dhe madje disa kanë lidhje me Trupën e fuqishme të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), dega elitare e Forcave të Armatosura të Iranit.

“Dua që ata [kandidatët kryesorë] të kërkojnë unitet dhe vetëm unitet, dhe jo t’i shpërfillin kërkesat e forcës së revolucionit dhe ta parandalojnë krijimin e një ‘shteti të tretë spiritual’”, shkroi Zakani në X.

Zakani u bëri thirrje kryetarit të Parlamentit, Mohammad Baqer Qalibaf, dhe konservatorit Saeed Jalili, të bashkohen në përpjekje për ta ndalur kandidatin reformist Masud Pezeshkian nga triumfi në zgjedhjet e 28 qershorit.

Hashemi tha më 26 qershor se është tërhequr nga gara në mënyrë që ta mbështesë një kandidat të vetëm të krahut të ashpër konservator për president.

Ata shiheshin si konkurrentë të së njëjtë bllok votues, gjë që ka mundur ta ndihmonte Masud Pezeshkianin, i cili është kirurg dhe kandidati i vetëm reformist në garën për president.

Sipas vëzhguesve, mungesa e një gare relativisht konkurruese do ta dëmtojë edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.

LEXO EDHE:

Back to top button