Dy trajner të larguar, të tretit i refuzohet dorëheqja

Vetëm pas 6 javëve në elitën e futbollit vendor, janë mësuar dy largime zyrtare të trajnerëve dhe një dorëheqje e ofruar, por që ende nuk është pranuar nga ana e drejtuesve të ekipit.

Goce Sedlloski nuk është më trajner i FC Shkupit, i cili larfohet jo për startin e dobët në ndeshjet e Ligës së Parë, por më tepër për shkak eliminimit në ndeshjet vendimtare kundër Ballkanit, me ç’rast skuadra nga Çairi humbi mundësinë për të luajtur në grupet e Ligës së Konferencës.

Për dallim nga Sedlloski, shkarkimi i Gjorgje Stojçev nga pankina e Akademia Pandev, erdhi për shkak rezultateve të dobëta, pasi që në 6 javët e para grumbulluan vetëm 7 pikë.

Një tjetër emër që pritet të largohet, është edhe ai i Vlatko Kostov të Tikveshit. Strategu nga Shtipi pas disfatës në Kratovë ndaj Sileksit kishte ofruar dorëheqjen e tij, por e njëjta nuk ishte pranuar nga ana e drejtuesve të skuadrës nga Kavadari.

Në mesjavë (e mërkurë), Tikveshi do të zhvillojë ndeshjen e mbetur të javës së parë kundër FC Shkupit, ndërsa nesër edhe zyrtarisht do të mësojmë nëse edhe në këtë ndeshje skuadra nga Kavadari do të udhëhiqet nga Vlatko Kostov, ose ndonjë emër tjetër. /Infosport/

LEXO EDHE:

Back to top button