Dyqanxhinjtë e Ohrit kërkojnë të përjashtohen nga ligji për të dielën – ditë jo pune

Gazetar: Miki Trajkovski

Duke fikur simbolikisht dritat nëpër dyqane, pronarët e bizneseve të vogla dhe dyqaneve në Ohër shprehën revoltën e tyre ndaj ligjit të ri për të dielën, ditë jopune, shkruan Alsat.

Ata thonë se në këtë mënyrë kanë dashur të shihet, se si do të duket Çarshia e Ohrit kur të mbyllen plotësisht dyqanet, dhe të dielën kur qyteti të ketë më së shumti vizitorë. Ata kërkojnë që Ohri si qytet turistik të përjashtohet, nga kjo zgjidhje ligjore.

“Tregtarët nga Çarshia e Ohrit u përballën me një tjetër surprizë të madhe në ligj, ku theksohet se përveç të dielës nuk lejohet puna edhe në ditë festash, kështu që fundjavat e zgjatura në Ohër do të jenë një dështim total, si për tregtarët ashtu edhe për turistët”, thonë nga Shoqata “Esnafi i Çarshisë”.

Ekspertët besojnë se një dispozitë e tillë ligjore do të ketë pasoja të mëdha financiare.

“Që do të ketë pasoja, do të ketë pasoja. Nëse i ndalojmë dyqanxhinjtë të punojnë gjatë sezonit të dielave, ose të punojnë pas orës 20, ju po i dënoni në shkatërrim”, tha Cvetko Andreevski-Dekan i Fakultetit të Turizmit, Ohër.

Nga Oda e Pavarur e Gastronomisë besojnë se do të pësojë biznesi në të gjitha qendrat turistike.

“Në një nga takimet në Ministrinë e Ekonomisë u përmend se do të përjashtohen të gjithë aktorët dhe industritë, që operojnë brenda qendrave turistike. Nuk e di pse në këtë rast kjo nuk është përfshirë në legjislacionin ligjor”, deklaroi Zdravko Josifovski-Oda e Pavarur e Gastronomëve.

Pronarët e dyqaneve në Ohër thonë se nuk po ikin nga detyrimi ligjor për t’i paguar punonjësit me mëditje të dyfishta, gjë që edhe deri tani është rregulluar me ligj, por kërkojnë që t’u lejohet hapja e dyqaneve./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button