E kryer, Barcelona merr anësorin e Lids Junajtedit

Barcelona ka fituar garën për të nënshkruar me Rafinja-n, pasi klubi katalanas ra dakord me skuadrën e Premier Ligës, Lids Junajted. Skuadra e Çellsit ishte gjithashtu në ndjekje të anësorit, por katalanasit kanë siguruar marrëveshje verbale me Lidsin, e cila pritet të shpallet në ditët në vijim. Barcelona pritet të paguajë 71 milionë euro te Lids për shërbimet e anësorit, ndërsa klubi anglez ka rënë dakord që Barça ta paguajë tarifën në fjalë me këste, me situatën aktuale financiare të klubit të La Liga-s që e pengon ta disbursojë menjëherë shumën e plotë.
Rafinja donte të ndiqte ëndrrën e tij për të luajtur në “Camp Nou” dhe për këtë arsye preferoi një lëvizje në Spanjë. Ai menaxhohet nga Deko, ish-lojtari i Barcelonës, i cili ndihmoi për ta bërë të mundur transferimin.
Nuk është sekret se Barcelona po kalon një situatë të rëndë financiare. Katalanasit kanë vendosur disa objektiva ambiciozë në merkaton e kësaj vere dhe për t’i financuar ato duhet të shesin, ose të paktën të heqin pagat e rezervave të tyre. Kuptohet se duhet të mbledhin rreth 600 milionë euro përpara se të mund të regjistrojnë ndonjë nga lojtarët yje në listën e ngushtë të transferimeve të verës.
Frenk Kesi dhe Andreas Kristensen janë zyrtarizuar, mirëpo ende nuk janë regjistruar, gjë që mund të bëhet vetëm kur Barça të ketë balancuar financat e saj.
Lojtarë të tillë si Robert Levandovski, Zhull Kounde, Kalidou Koulibali dhe Bernardo Silva mendohet të jenë ndër objektivat blaugrana, ndërkohë që edhe Kristiano Ronaldo është lidhur me skuadrën katalanase.