E rrezikuar nga Rusia e Bjellorusia, Polonia forcon mbrojtjen e kufijve lindorë
E rrezikuar nga Rusia e Bjellorusia, Polonia forcon mbrojtjen e kufijve lindorë

Kryeministri Donald Tusk njoftoi se kane nisur fortifikimet e kufirit në një gjatësi prej 800 kilometrash.
Polonia po përshpejton përpjekjet për të forcuar mbrojtjen e kufijve të saj me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Kryeministri Donald Tusk njoftoi se ndërtimi i të ashtuquajturit projekti Mburoja Lindore do të fillojë më herët se sa ishte planifikuar, projekt që nis në fund të vitit.
Ky projekt do të rrisë fortifikimet ushtarake dhe masat e tjera mbrojtëse në kufirin lindor të Polonisë mbi një gjatësi prej rreth 800 kilometrash.
Ndërtimi pritet të zgjasë katër vjet. Kryeministri i Polonisë Donald Tusk ishte i pranishëm në terren, ku u zhvilluan stërvitjet e para në testimin e elementeve të infrastrukturës së re të projektit dhe theksoi se kjo është pjesë e një përpjekjeje të kombinuar me shtetet baltike dhe Finlandën.
“Më vjen mirë që Mburoja Lindore po merr jetë. Me gjithë seriozitetin, kjo është një ndërmarrje e përbashkët, jo vetëm polake, sepse është e kombinuar edhe me përpjekjet e shteteve baltike, sepse bëhet fjalë për linjën e mbrojtjes baltike përfshirë dhe Finlandën,” –tha kryeministri Tusk.
Tusk tha gjithashtu se ai do të diskutojë në Bruksel edhe për financimin e projektit.