E shqetësojnë spiunët, trajner i Dortmundit vendos që stërvitjet të zhvillohen vetëm në Gjermani
Real Madridi dhe Borusia Dortmund do të përballen të martën mbrëma në ‘Santiago Bernabeu’ në kuadër të Ligës së Kampionëve. Kampioni në fuqi i Evropës synon të rikthehet te fitoret pas asaj humbjes befasuese nga Lille, derisa gjermanët pas dy fitoreve radhazi kërkojnë vazhdimësi të rezultateve pozitive.
Në përpjekje për të mbajtur të fshehura strategjitë e tyre, Borusia Dortmund nuk do të zhvillojë seancën e zakonshme stërvitore në “Santiago Bernabeu”. Në vend të kësaj, trajneri Nuri Sahin ka zgjedhur të stërvitet në Gjermani për shkak të shqetësimeve nga spiunët.
Vendimi i Sahin synon të parandalojë Real Madridin që të kuptojë taktikat e Dortmundit. Kjo qasje pasqyron natyrën konkurruese të të dyja skuadrave në këtë përballje vendimtare. Sahin që më parë ka qenë një futbollist i Real Madridit ka thënë se nuk është aspak i shqetësuar nga përballja me Los Blancos
“Nuk jam aspak i shqetësuar për Real Madridin. Jam i bindur se analistët tanë janë përgatitur për ndeshjen. Kam parë edhe një ose dy ndeshje të Real Madridit gjatë pushimit ndërkombëtar”, ka deklaruar Nuri Sahin