Edhe BE i bashkohet ShBA’së në kërkesën për zgjatje të afatit për targat

Edhe BE i bashkohet ShBA’së në kërkesën për zgjatje të afatit për targat

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka konfirmuar se BE kërkon nga institucionet kosovare, që për 10 muaj të shtyjnë afatin për regjistrimin e automjeteve me targa serbe.

Ndonëse e cilëson se vendimi i Kosovës për riregjistrimin e targave është legjitim, sipas Stanos, është e rëndësishme që t’i jepet kohë e mjaftueshme zbatimit të këtij plani, të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët atje, dhe në përputhje me praktikat evropiane.

“Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për ri-regjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime. Prandaj, që nga fillimi i këtij procesi, ne i kemi rekomanduar Qeverisë së Kosovës që të vendosë një periudhë 12 mujore për riregjistrimin. Duke ndjekur të njëjtin arsyetim, tani po kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë afatin ekzistues për 10 muaj”, ka pohuar Stano.

Kjo shtrirje, sipas tij, do të mundësonte një fushatë informative dhe konsultime më thelbësore dhe gjithëpërfshirëse me popullsinë e prekur.

Njëkohësisht, pohon Stano, kjo do t’i mundësonte Kosovës që të gjithë serbëve të Kosovës në veri t’u lëshohen letërnjoftime dhe patentë shoferi të Kosovës.

“Duhet të shmanget përshkallëzimi i tensioneve dhe potencialisht, dhuna në veri të Kosovës. Kjo është e një rëndësie të veçantë në kontekstin aktual gjeopolitik, në funksion të ruajtjes së stabilitetit në rajon”, ka porositur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

LEXO EDHE:

Back to top button