Edhe një tentim sot për konstituim të Kuvendit

Edhe një tentim sot për konstituim të Kuvendit

Deputetët do të mblidhen sërish sot, në një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e pesëmbëdhjetë për të formuar legjislaturën e nëntë.

Deputetët kanë dështuar plot katërmbëdhjetë herë me radhë të formojnë trupat e Kuvendit.

Procesi ka ngecur të kryeparlamentari, pasi Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa – nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë janë shprehur kundër emrit të propozuar nga partia e Albin Kurtit – i cili aktualisht është kryeministër në detyrë.

Seanca konstituive ka nisur më 15 maj dhe deri më tash është arritur të bëhet vetëm betimi i deputetëve.

Nga 15 maji, presidentja e vendit, Vjosa Osmani do të nis përpejkjet për të zhbllokuar ngërçin në Kuvend.

Kjo është bërë e ditur nga këshilltari për media, Bekim Kupina i cili tha të hënën se Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit.

Sipas tij, ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në emrin e Haxhiut për kryeparlamentare.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.

Pasi Albulena Haxhiu nuk mori votat e nevojshme për disa seanca me radhë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë. Por, kjo u kundërshtua nga partitë e tjera.

Çështjen e votimit të fshehtë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – e mbështetur edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – e ka dërguar të hënën në Gjykatën Kushtetuese.

LEXO EDHE:

Back to top button