Edi Hern: “Jemi një telefonatë larg sfidës Fjuri – Xhoshua

Tajson Fjuri ka paralajmëruar një rikthim në mediat sociale, pasi njoftoi tërheqjen e tij disa muaj më parë, pas humbjes së tij në revansh ndaj Oleksandr Usyk. Menaxheri i njohur i boksit, Edi Hern konfirmoi se Entoni Xhoshua do të ketë nevojë për një operacion në bërryl, por këmbëngul se ka një “rrugë të qartë” për të bërë  një derbi britanik në boks, kur Xhoshua të jetë plotësisht në formë.

“Mendoj se Tajson Fjuri është paksa ngacmues në postimet e tij. E tëra ajo çfarë shohim në Instagram… Edhe sot, kam dalë nga konferenca për shtyp, kam hyrë në Instagram dhe ai është atje, duke bërë 12 raunde boksi”, tha Hern.

 

“Xhoshua duhet t’i nënshtrohet një operacioni të vogël në bërryl. Do të kthehet pas shtatorit. Ndaj, le ta organizojmë këtë sfidë. Kur flasim për ndeshje të mëdha, kjo ndeshje është më e madhja, jo vetëm në boksin britanik, por edhe në atë botëror. Ndjej se ka ardhur koha”, tha Edie Hern.

 

Ai beson se mund të realizohet kjo sfidë por duhet sinjal edhe nga Fjuri.

 

“Ky është momenti. Ne mbështetemi te Tajson Fjuri. Jemi gati të shkojmë, por padyshim që ai duhet të ndihet rehat. Ai duhet të jetë i gatshëm për këtë. Hiqeni pluhurin e këtyre muajve dhe le ta bëjmë të ndodhë kjo sfidë. Jemi një telefonatë larg vetëm për të thënë, ja ku janë kushtet. Të dy nuk janë kampionë për momentin, por të dy janë yje të mëdhenj. Le të vazhdojmë dhe ta bëjmë të ndodhë. E kemi rrugën për ta bërë të ndodhë”, përfundoi Hern.

LEXO EDHE:

Back to top button