Ekspedita e Kosovës niset drejt Rumanisë, për sfidën vendimtare

Kombëtarja e Kosovës do ta marrë rrugën drejt Bukuresht, ku nesër mbrëma do ta zhvillojë ndeshjen vendimtare në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve. “Dardanët” stërviten që nga e hëna në atdhe dhe u përgatitën nën drejtimin e selektorit Franko Foda.

Federata e Futbollit ka njoftuar se kontingjenti i Kombëtares do të niset kah mesdita drejt kryeqytetit rumun. Më pas, në mbrëmje pritet që Vedat Muriqi me shokë ta zhvillojnë një seancë të lehtë stërvitore, të fundit para ndeshjes që do të nisë në orën 20:45 nesër mbrëma.

Kosova e ka një disavantazh prej tri pikësh dhe tre golash dhe i nevojitet të fitojë me mbi tre gola avantazh nëse dëshiron ta marrë primatin në grup. Trupa e Fodës do të shkojë në Rumani me gjashtë mungesa shkaku i lëndimeve. Në ndeshjet e nëntorit do të mungojnë: Milot Rashica, Bersant Celina, Leart Paqarada, Donat Rrudhani, Ermal Krasniqi e Emir Sahiti.

Sidoqoftë, lojtarët që i ka në dispozicion trajneri gjerman janë shprehur optimistë se do të mundë të dalin mirë nga sfida e nesërme.

LEXO EDHE:

Back to top button