Ekspertët e arbitrimit njëzëri: Rasti ndaj Zhill Kundes ishte penallti flagrante

Është e pamundur të shohësh situatën dhe të mos vëresh penalltinë ndaj Koundé. Nuk është e nevojshme të jesh lojtar profesionist ose njohës i thellë i futbollit për ta kuptuar. Në minutën e 80-të të ndeshjes Getafe-Barcelona, Uche e tërhoqi qartë Koundé. Megjithatë, arbitri González Fuertes bëri sikur nuk pa gjë, edhe VAR-i nuk ndërhyri. Barça u dënua përsëri padrejtësisht dhe të gjithë specialistët janë dakord se ishte një penallti e qartë, edhe pse disa tentuan të justifikonin mosveprimin e VAR-it.
Iturralde González në “Cadena SER” deklaroi: “Për mua është penallti, sepse e tërheq”. Pedro Martín, komentator arbitral në “COPE”, shtoi: “Ka tërheqje dhe është një penallti mjaft e qartë”.
Në “Esport 3”, ish-arbitri Xavier Estrada Fernández ishte më i prerë: “Është një penallti e dukshme dhe nuk kuptoj pse González Fuertes nuk e akordoi. Nuk e kuptoj edhe pse nuk ndërhyri VAR-i”. Estrada shpjegoi gjithashtu se dyshimet nëse Koundé do të arrinte topin ose jo nuk e zhbëjnë faktin që ishte faull dhe penallti.
Disa ekspertë përpiqen të shpjegojnë mosveprimin e VAR-it duke e argumentuar me “shijen” e Komitetit Teknik të Arbitrave (CTA). Iturralde shtoi: “Nuk jam dakord, por është lloji i tërheqjes për të cilën CTA nuk dëshiron ndërhyrje nga VAR-i”.
Përveç specialistëve arbitralë, të gjithë komentatorët televizivë dhe radiofonikë ranë dakord që ishte penallti e qartë. Paco González nga “COPE” u shpreh me sinqeritet: “Do të doja shumë të dëgjoja audion e asaj që i thanë González Fuertes për veprimin e Balde ndaj lojtarit të Getafes. Do të paguaja para për ta dëgjuar. Ai duhet të ketë pyetur: Çfarë ndodhi atje që nuk e pashë?”
Përfundimi është se Barcelonës i aplikohet një rregullore ndryshe nga ajo e Real Madridit. Është e vështirë të konkurrosh në këto kushte dhe duket se Flick po e kupton qartë këtë. Përveç penalltisë, një tjetër çështje shqetësuese në këtë ndeshje ishte ambienti armiqësor dhe fyerjet raciste ndaj Balde, por gjithashtu edhe fakti që vlerësimin për performancën e González Fuertes e bën Yolanda Parga, e martuar me punonjësin e Real Madridit, Megía Dávila.
Xavier Estrada Fernández e përshkroi këtë situatë si “një konflikt interesi flagrant”. Analisti arbitral Joan Fàbregas e quajti: “Një konflikt interesi i tmerrshëm dhe tallje totale”. Kjo është një tjetër padrejtësi arbitrimi ndaj Barcelonës, për t’u shtuar në listën e gjatë.