Ekspertët kërkojnë dorëheqjen e kryetares së Antikorrupsionit

Ekspertët kërkojnë dorëheqjen e kryetares së Antikorrupsionit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Hetimet e fundit në të cilat përfshihet kryetarja e Antikorrupsionit Tatjana Dimitrovska dëmtojnë besimin e qytetarëve ndaj këtij institucioni, sidomos në rast se ajo vazhdon të mos japë dorëheqje, shkruan Alsat.

Ky është qëndrimi i një pjesë të ekspertëve të cilët ndjekin zbatimin e mekanizmave për parandalimin e korrupsionit në vend. Ish kryetarja Biljana Ivanovska thotë se tani duhet të gjendet zgjidhje, nga Kuvendi ose nga vetë Antikorrupsioni.

“Padyshim që ky është një sulm i rëndë, edhe për shoqërinë, edhe për institucionin para së gjithash, për qytetarët dhe për të gjithë ne. Megjithatë ndodhi çfarë ndodhi, duhet të shihet çfarë më tej dhe të gjendet zgjidhje. Radhën e ka Kuvendi, çfarë mundet Kuvendi të ndërmarrë, çfarë mundet vetë institucioni të bëjë në aspektin e përllogaritjes së korrupsionit. Dhe e para dhe më e rëndësishmja është që kryetarja duhet menjëherë të japë dorëheqje sepse në këtë mënyrë akoma e “infekton” institucionin. Ajo duhet të largohet që institucioni të mund të pastrohet lirshëm”, tha Biljana Ivanovska, ish kryetare e Antikorrupsionit.

“Vërtetë ndikon në besimin që ka opinioni por edhe institucionet e tjera tek Antikorrupsioni. Është shumë e vështirë të fitosh besimin në punën tënde përmes angazhimit dhe paanshmërisë megjithatë besimi mund të humbet shumë lehtë dhe mendoj se në këtë moment Antikorrupsioni është në kufi të atij besimi dhe do të duhet shumë më shumë përpjekje për ta kthyer atë besim”, u shpreh Vlladimir Goergiev, ish anëtar i Antikorrupsionit.

Snezhana Kamillovska nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar thonë se procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për prandalimin e korrupsionit u keqpërdorën në vitin 2023, duke ushtruar ndikime politike, rezultatet e para të të cilave i shohim tani.

“Dorëheqje për arsye morale, është masë që e ka në dispozicion. Kjo nuk do të nënkuptojë se e pranon fajin por është një veprim i përgjegjshëm që do të tregojë se personat janë me integritet dhe që do të mundësojë që institucioni të punojë sipas parimeve mbi të cilat është formuar”, theksoi Snezhana Kamillovska Tërpovska, Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar.

Antikorrupsioni akoma nuk është përgjigjur se çfarë hapash do të ndërmarrë, konkretisht, nëse do të dërgojë shkresë zyrtare te Kuvendi për të kërkuar shkarkimin e Dimitrovskës. Ata thonë se vazhdojnë të punojnë sipas ligjeve dhe se janë të vetëdijshëm për rëndësinë e besimit të qytetarëve.

“Komisioni Shtetëror si institucion vazhdon të funksionojë në mënyrë të pavarur dhe efikase, në përputhje me kompetencat e tij ligjore dhe mandatin e tij. Komisioni Shtetëror siguron që procedurat për përcaktimin e përgjegjësisë individuale nuk dëmtojnë angazhimin institucional dhe kolektiv”, thonw nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit.

Nga Kuvendi sqarojnë se nuk do të ndërmarrin asgjë, deri sa nuk kanë shkresë zyrtare nga Antikorrupsioni.

Tatjana Dimitrovska dyshohet se ka dhënë sekret zyrtar. Ajo tre muaj pasi mori mandatin në shkurt të vitit 2024, ka filluar të shpërndajë detaje të hetimit rreth rastit “Aditivët”, që ka të bëjë me tenderë të dyshimtë të mazutit nga EMV dhe TEC  Negotinë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button