Ekspertët: Konflikti Izrael-Iran mund të ketë ndikim ndaj ekonomisë vendore dhe çmimit të naftës
Ekspertët: Konflikti Izrael-Iran mund të ketë ndikim ndaj ekonomisë vendore dhe çmimit të naftës

Gazetar: Angell Dimovski
Lufta mes Izraelit dhe Iranit mund të ndikojë drejtpërdrejt në ekonomitë vendore dhe në çmimin e naftës, paralajmërojnë ekspertët. Duke pasur parasysh se nafta tregtohet në bursat globale, çdo tronditje në një rajon të pasur me naftë mund të çojë në rritje të çmimeve të energjisë në tregjet botërore. Mjafton një dëmtim i një fushe nafte apo një bllokim i një rruge transporti për të shkaktuar ulje globale të ofertës dhe automatikisht, rritje të çmimeve, thotë profesori i energjetikës, Dimitar Dimitrov. Ai shton se rritja e çmimeve mund të shkaktojë inflacion.
“Rritja është pjesë e rëndësishme e sektorit ekonomik, ndërsa produktet energjetike mund të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve të tjera më tej, për shkak se sistemi është i ndërlidhur dhe mund të ndodhë reagim zinxhir, dhe në këtë mënyrë të rriten çmimet. Sapo të rriten çmimet e produkteve, kjo është një nga bazat për paraqitjen ose rritjen e inflacionit”, u shpreh Dimitar Dimitrov – profesor i energjetikës.
Që të mos varemi nga produktet e bursës siç është nafta, profesori Dimitrov thotë se është e nevojshme që shteti të krijojë burime dhe mjete vetanake energjetike.
“Ajo që mund ta bëjë Maqedonia është të investojë në atë që ka, e ajo është energjia diellore, të shfrytëzohet potenciali hidroenergjetik, të përmirësohet struktura e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike, të investohet në objekte të reja energjetike të cilat do të mund të menaxhohen më mirë dhe të kemi një sistem më efikas që ofron çmim më të ulët të energjisë elektrike dhe të mirave të tjera”, u shpreh Dimitar Dimitrov – profesor i energjetikës.
Pas fillimit të luftës mes Izraelit dhe Iranit, çmimet e naftës shënuan rritjen më të madhe kohët e fundit. /Alsat.mk