Ekspertët: Raportimi i mediave gjatë pandemisë është shumë sfidues

Gjatë pandemisë gazetarët përballen me sfida të jashtëzakonshme për raportim të saktë rreth Koronavirusit, përmes mekanizmit të vetë-rregullimit. Megjithatë një pjesë e mediave, veçanërisht ato online raportojnë në mënyrë të pasaktë, senzacionale, madje shkelin privatësinë e të dhënave personale për interesa të caktuara politike apo komerciale. Ky është vlerësimi për raportimin e mediave gjatë pandemisë në gjithë botën, përfshirë edhe në vendin tonë. Komunikologu, Sefer Tahiri thekson se përskaj vaksinës kundër Koronavirusit, duhet të gjendet vaksina kundër lajmeve të rreme, për shkak se sipas tij, liria e mediave shpesh keqpërdoret. Sipas Tahirit, duhet bërë ndryshime në Kodin etik të gazetarëve, në korrelacion me ndryshimet në raportim, që i ka imponuar pandemia.
Në këtë periudhë patëm gazetarë që jo vetëm që e kryen punën jo vetëm me profesionalizëm, por në një farë mënyre edhe u viktimizuan. Një pjesë e tyre hynë në Klinikën infektive me pajisje mbrojtëse, por e dimë se ishin në rrezik të infektoheshin. Për hir të interesit publik, disa gazetarë patën guximin të infektoheshin, respektivisht ta pranonin rrezikun e të infektuarit por vetëm t’iu shërbejnë qytetarëve. Nga ana tjetër, patëm shumë shpesh manipulatorë mediatik që çdo ditë i shkelën standardet profesionale duke emituar lajme të rreme, konspiracione dhe senzacione”, tha Sefer Tahiri, komunikolog.
Ish gazetari, Mirçe Adamçevski thekson urgjencën e zgjidhjes së çështjes së portaleve.
Duhet të fillojmë të mendojmë për zgjidhje të reja për mediat online. Ata janë tregim më vete, por organizatat mediatike patjetër bashkërisht të bëjnë strategji. Përpjekjet me regjistrin e mediave profesionale është vetëm një hap i vogël drejt saj, por duhet të bëhet analizë çfarë ndryshoi regjistri, sa biznesi i përmbahet premtimeve. Sepse pandemia e Koronavirusit do të përfundojë por deri atëherë mund të përgatiten zgjidhje të reja, paralelisht me demokratizimin e shoqërisë”, pohoi Mirçe Adamçevski, ish gazetar.
Edhe misioni i OSBE-së në Shkup, mbështet vetë-rregullimin, por në kornizë të funksionit mediatik.
Mediat luajnë rol të rëndësishëm në rritjen e vetëdijes për problemet aktuale, por edhe shfarosjen e miteve dhe dezinformatave ekzistuese. Duke e ruajtur këtë funksion vital, vetë-rregullimi e mbron pavarësinë e mediave, lirinë e shprehjes. Mediat e lira janë thelbi i zhvillimit demokratik, që është proces i vazhdueshëm, pa fund”, theksoi Ilona Kazarjon, misioni i OSBE- Shkup.
Luftën ndaj lajmeve të rreme dhe konspiracioneve, të njohur si Infodemi e kishte “shpallur” prej kohësh vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë, për shkak se lajmet e rreme në periudha të ndryshme kanë rritur shqetësimin e njerëzve në nivel global.
Anesa Salihu