Ekuadori kap nëndetësen me pesë tonë drogë në ishujt Galapagos
Ekuadori kap nëndetësen me pesë tonë drogë në ishujt Galapagos

Ushtria ekuadoriane ka sekuestruar pesë tonë drogë në një lloj nëndetëse, në brigjet e ishujve Galapagos njoftuan zyrtarët e ushtrisë.
Operacioni detar u bë në zonën që konsiderohet si trashëgimi natyrore kombëtare. Ushtria lokalizoi gjysmënëndetësen me 5 tonë substanca të dyshimta që do të kontrollohen, thuhet në deklaratën e ushtrisë.
Prej vendndodhjes së tij strategjike, Ekuadori është kthyer në një qendër logjistike të transportit të kokainës drejt SHBA, Evropës e Amerikës Qendrore, shkruan agjencia “AFP”.
Ekuadori, që gjendet mes dy prodhuesve më të mëdhenj të kokainës në botë – Kolumbisë e Perusë, ka sekuestruar këtë vit 189 tonë drogë. Rekord kishte vendosur në vitin 2021, kur sekuestroi një total prej 210 tonëve.
Ishujt Galapagos gjenden 1 mijë kilometra larg brigjeve të Ekuadorit, por po përdoren si një korridor i kalimit të drogave madje së fundmi dhe armatimeve.
Javën e kaluar ushtria tha se kishte ndaluar një anije me 122 pushkë, 48 pistoleta e 124 njësi municionesh rreth 150 milje larg ishullit të San Cristobal.
Autoritetet thanë se kur njerëzit në bord pikasën ndjekjen e rojës bregdetare hodhën në det nëntë arkat me materiale, ku më pas u gjetën armatimet.
Presidenti i ri i vendit Daniel Noboa. i zgjedhur disa ditë më parë, ka si sfida kryesore bandat e lidhura me kartelet meksikane e kolumbiane të trafikut.