Elbasani feston sot Ditën e Verës

Elbasani feston sot Ditën e Verës

Gazetare: Vjollca Aliti

Mijëra qytetarë kanë vizituar sot Elbasanin për të shënuar Ditën e Verës. Qytetarë nga zona të ndryshme të Shqipërisë, nga Kosova e turistë të huaj kanë shkuar sot në Elbasan për të parë nga afër festën që shënon ardhjen e stinës së verës. Atmosfera festive për shënimin e Ditës së Verës në Elbasan ka nisur një javë më parë, ndërsa banorët kishin përgatitur aktivitete e ëmbëlsira të ndryshme si dhe ballokumet tradicionale të cilat janë simboli kryesor i 14 marsit.

Pos Elbasanit, Dita e Verës shënohet edhe në shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Në Tiranë janë organizuar 100 aktivitete në 10 zona të ndryshme. Derisa në qytetin e Durrësit u mblodhën shumë qytetarë për të festuar.

“E kemi traditë, përgatisim misra, kulaçe, vezë, verore, vëmë gjethet e thanës nëpër dyer të kemi mbarësi këto di unë. I kemi të trashëguara brez pas brezi.

“Bëjmë vezë të kuqe, kulaç, ëmbëlsira”.

“Bëjmë ballokume në zonën tonë, vezë, hallvën, gjëra të vjetra që këto janë që t’i lëmë brez pas brezi”.

“Lutemi për mirësi, për të mirat e shtëpisë, për me na i rujt fëmijët që i kemi në mërgim për çdo gjë lutemi me gjithë shpirt”.

Kryeministri Rama dhe ish kryeministri Berisha vizituan Elbasanin ku dhe uruan qytetarët për festën e Ditës së Verës.

“I uroj të gjithëve një rikthim të mbarë në ditët me diell”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

“Kjo ditë është njëkohësisht simbol i ndërrimit, i lulëzimit, i ndryshimit”, u shpreh Sali Berisha, Ish kryeministër i Shqipërisë.
Ndër aktivitetet e shumta, në shënimin e 14 marsit qytetarët ndezin dhe zjarrin i cili simbolizon djegien e dimrit dhe të këqijat për të rikthyer dritën e shpresës tek njerëzit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button