Elon Musk: Është koha që SHBA të dërgojë astronautë në Mars
Është koha që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë astronautë në Mars, tha sipërmarrësi amerikan dhe aktualisht njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, në rrjetin e tij social “X”.

Musk po fliste në përvjetorin e uljes së Apollo 11 në Hënë, duke shtuar se Amerika tani “duhet të arrijë lartësi shumë më të mëdha”.
“Kushdo që dëshiron të bëhet një udhëtar në hapësirë dhe të ndihmojë në ndërtimin e një qytetërimi të ri në Mars, duhet të jetë në gjendje ta bëjë këtë. Është një e ardhme frymëzuese”, shtoi Musk.
Miliarderi amerikan, ndër të tjera, është edhe pronar i kompanisë SpaceX, e cila zhvilloi sistemin hapësinor “Starship” për transportin e njerëzve dhe mallrave në orbitën e tokës dhe Marsit.
Pjesa kryesore e sistemit është një mjet lëshues “Super Heavy” i ripërdorshëm, sipas faqes së internetit të kompanisë.
Musk tha në 2023 se Starship do të jetë në gjendje të fluturojë në Mars në tre deri në katër vjet.