Elton John po e shet gardërobën në eBay

Elton John po e shet gardërobën në eBay

Ylli i njohur i muzikës, Elton John, ka hapur një llogari në platformën e shitjeve online “eBay” dhe ka vënë në shitje disa veshje të tij në mënyrë që të rrisë fondet për fondacionin e tij “Elton John AIDS”.

Këngëtari legjendar ka vënë në shitje disa nga veshjet personale, si një pallto me print të lëkurës së leopardit nga brendi “Saint Laurent”, një palë këpucë nga brendi “Gucci” si dhe një kostum të kaltër nga brendi “Versace”, shkruan The Guardian.

“Ofrimi i një jete të re për artikujt që i vlerësoj shumë nga gardëroba ime, ka qenë gjithmonë diçka shumë speciale për mua. Për dekada me radhë kam dhënë si donacion rrobat e mia në mënyrë që të mbështes fondacionin ‘Elton John AIDS’. Në këtë muaj të krenarisë, jam i entuziazmuar të vë në shitje në ‘eBay’ thesarin që kam në Atlanta, me shpresën se këta artikuj do të iu japin po aq gëzim sa më kanë dhënë mua”, ka thënë këngëtari në një deklaratë.

Ai gjithashtu ka cekur se gjithkush do të mund ta gjejë veten në këto veshje.

“Edhe më mirë, çdo dollar i fituar do ta mbështesë fondacionin ‘Elton John AIDS; në luftën që po bën për të ndalur stigmatizimin e komunitetit LGBTQ+”, ka shtuar John.

Përveç artikujve që kushtojnë shumë, ai po i shet edhe disa bluza me mëngë të shkurtra si dhe kapela.

John dhe burri i tij David Furnish bënë hapjen e këtyre shitjeve drejtpërsëdrejti në platformën “eBay”.

“Gardëroba e Elton Johnit ka dekada në formim, të kesh diçka të tijën është sikur të kesh një pjesë të historisë së modës e muzikës”, Charis Marquez nga “eBay”.

LEXO EDHE:

Back to top button