EMA: Vaksinat aktuale antiCOVID-19 mbrojnë nga varianti indian

Agjencia Europiane e Barnave (EMA) deklaroi se ekspertët e saj ishin të bindur se vaksinat antiCOVID-19, të miratuara deri më tani, mbrojnë edhe nga varianti indian.

“Të dhënat janë qetësuese dhe tregojnë se vaksinat sigurojnë mbrojtje të mjaftueshme”, tha drejtori i EMA-s për Strategjinë e Vaksinimit, Marco Cavaleri.

“Ekspertët e EMA-s do të vazhdojnë të monitorojnë dhe rishikojnë zhvillimet nga afër”, shtoi ai.

Deri më tani, katër vaksina kundër COVID-19 janë miratuar për t’u përdorur në BE.

Katër vaksina të tjera aktualisht janë duke iu nënshtruar një rishikimi të përshpejtuar.

EMA pritet të arrijë një vendim për vaksinat e bëra nga Curevac dhe nga Novavax, në të ardhmen e afërt.

Inspektimet në vend për vaksinën e zhvilluar ruse Sputnik V janë aktualisht në proces.

Procesi i rishikimit për vaksinën nga prodhuesi kinez Sinovac ka filluar vetëm kohët e fundit.

LEXO EDHE:

Back to top button