Ende asnjë zgjidhje për personat pa numër amë
Ende asnjë zgjidhje për personat pa numër amë

Gazetare: Evi Shkopi
Statusi i qindra personave që nuk janë të regjistruar në Librin Amë ende pa zgjidhje. Pavarësisht se rreth 3 vite më parë u soll një ligj i cili do t’u mundësonte këtyre personave të regjistrohen në një libër amë të përkohshëm, apo numrin 13 shifror, qindra qytetarë ende sot nuk gëzojnë asnjë nga të drejtat themelore, si e drejta për arsim apo shëndetësi. Edhe pse Ministria e Brendshme, ajo e Drejtësisë dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale kanë bërë harmonizimin e ligjeve me atë për Personat e Paregjistruar në Librin Amëz, Ligji thuajse nuk gjen zbatim nga institucionet që punojnë drejtpërdrejt me qytetarët.
“Pengesa e parë është sistemi i integruar për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet institucioneve, kjo pamundëson njohjen e atij numri 13 shifrorë amë….Institucionet kërkojnë që këta persona të kenë numër amë normal, ashtu siç kemi ne. Por ata po të kishin atë numër nuk do ishin në listën e personave fantom. Problemi i dytë janë bankat, sepse këtyre personave që janë pajisur me numrin 13 shifror, rreth 300 persona, bankat këtë numër nuk e njohin dhe nuk dua t’i lejojnë të hapin xhirollogari”, tha Mabera Kamberi- koordinatore e grupit të punës.
Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, tha se vetëm Ligji i Ri për evidencë në Librin amë që është përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, do të mund të zgjidhë përfundimisht këtë problem për 700 personat e paregjistruar. Spasovski tha se qytetarët kanë interesim të ulët për të aplikuar për numrin amë të përkohshëm, sepse kuptojnë se diçka e tillë nuk u mundëson të drejta të plota.
“Ne në grupin e punës i propozuam këto zgjidhje, për të cilat konsiderojmë se përsëri nuk ofrojnë zgjidhje përfundimtare të problemit dhe as ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për numër Amë. Qëndrimi i MPB-së është njëjtë si dhe herën e parë, Ligji për evidencë në Librin Amë është gati dhe do t’u mundësonte të gjitha atyre 700 personave menjëherë të marrin numër amë, të regjistrohen në Librin amë të të Lindurve dhe me këtë fitojnë të drejtë për shtetësi”, deklaroi Oliver Spasovski – ministër i Brendshëm.
Shumica e personave fantom vijnë nga komuniteti rom. Në debatin publik rreth Ligjit për Personat e paevidentuar në Librin Amë u tha se Qeveria duhet të bëjë fushatë për të rritur vetëdijen që prindërit e rinj të regjistrojnë fëmijët e tyre, përndryshe ky problem do të shfaqet herë pas here. /Alsat.mk