Të mërkurën, Barcelona do të përballet me kampionët në fuqi të Evropës, Paris Sen-Zhermen, në ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve. Sipas Diario AS, trajneri i PSZH-së dha vlerësimin e tij për këtë duel shumë të pritur.
“Barcelona ka të njëjtën mentalitet si ne. Të luash kundër një ekipi që ndan të njëjtën filozofi futbolli është emocionuese. Të dy synojmë të luajmë futboll të bukur, pavarësisht rezultatit. E njoh Flick prej kohësh dhe jam i njohur me idenë e tij të lojës. Çelësi do të jetë kush do ta ketë topin”.
Ish-trajneri i Barcelonës, Luis Enrike, po ashtu shprehu emocionin për rikthimin e tij, megjithëse ka një farë zhgënjimi që ndeshja nuk do të luhet në “Spotify Camp Nou”.
“Nuk mund të them asnjë fjalë të keqe për Barcelonën. Do t’i jem përjetësisht mirënjohës këtij klubi. Gjithmonë ndiej dashurinë e tifozëve. Është e qartë që nuk është njësoj, por gjithashtu më sjell kujtime të bukura nga Montjuic, siç ishte hapja e Lojërave Olimpike të ’92-shit”.
Luis Enrike u pyet gjithashtu nëse neutralizimi i Pedrit do të ishte çelësi i suksesit për skuadrën e tij.
“Ai më njeh shumë mirë. Për mua, ai është Hari Poter, shpresoj të mos e marrë shkopin magjik. Por nuk është vetëm Pedri, ka pafund lojtarë të nivelit të lartë. Me topin, Barcelona është shumë e mirë, por edhe pa top ka shumë burime dhe mënyra loje”, përfundoi ai.








