Boksieri britanik Entoni Xhoshua do të tërhiqet nga sporti vitin tjetër, në moshën 36-vjeçare. Këtë gjë e konfirmoi promotori Edie Hern, që shtoi se Xhoshua është në një garë me kohën për të zhvilluar duelety e fundit në karrierën e tij.
Xhoshua ka qenë një yll i madh në boksin britanik, por deri më tani nuk ka arritur të sigurojë luftime me rivalët e tij kryesorë, Deontje Uajllder dhe Tajson Fjuri. Pikërisht këto dy emra janë objektivat e tij para se të varë dorezat në gozhdë.
Fjuri u tërhoq pasi humbi për herë të dytë ndaj Oleksandr Usyk, ndërsa Xhoshua duhet të rikuperohet pas një disfate dërrmuese me nokaiut teknik ndaj Daniel Dubua vitin e kaluar. Xhoshua ka pasur një operacion të suksesshëm në bërryl dhe është në kërkim të një sfide në gjysmën e dytë të vitit.
“Deontej Uajllder duelon javën e ardhshme. Unë e di se ai është një emër që është përmendur nga Xhoshua“, tha promotori i Xhoshua-s, Edi Hern për “Sky Sports”.
“Ekziston mundësia që Joshua të mund të ndeshet me Deontej Uajllder në fund të viti dhe më pas të përballet me Tajson Fjuri. Kështu, ai kompleton ciklin e tij duke u përballur me të gjithë boksierët elitarë te peshës së rëndë të kësaj gjenerate”, tha Hern.

“Xhoshua beson se Fjuri ende mund të rikthehet për të dueluar ndja tij në derbin britanik. Nëse nuk e bëjmë sfidën me Tajson Fjuri, do të ishte një mekat i madh. Për mua, kjo sfidë duhet të ndodhë, nuk ka asnjë justifikim tani”, shtoi Edie Hern.
“2026 mund të jetë viti i fundit i Joshua në këtë sport. Ai nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, por është i motivuar, ndihet mirë fizikisht tani për t’u rikthyer në kamp dhe i gatshëm për një ndeshje të fundit të kësaj karriere të jashtëzakonshme. Shpresojmë që kjo të përfshijë një luftë me Fjuri”, tha Hern.








