Enzo Mareska i zhgënjyer: Pësuam gol dhe humbëm besimin

Çellsi arriti një barazim zhgënjyes në fushën e tij ndaj Ipsuiçit (2-2), që e largon nga zona e Ligës së Kampionëve. Madje tani londinezët kanë zbritur në vendin e gjashtë në Premier Ligë, dy pikë pas Njukasëllit. I mërzitur nga ky rezultat trajneri Enzo Mareska, me skuadrën e tij që rikuperoi dy gola në pjesën e dytë.
“Goli i tyre i parë e ndryshoi dinamikën e lojës. Ne kishim kontrollin në 20 minutat e para, por i humbëm rastet për të shënuar”, tha Mareska.
“Më pas gabuam e pësuam të dytin, ndërsa në pjesën e dytë u kthyem në lojë. Ky është futbolli. Ndonjëherë mjafton një gjë e vogël për të ndryshuar dinamikën e ndeshjes. Pësuam gola dhe humbëm besimin”, tha trajneri italian.
Mareska nënvizon paraqitjen në pjesën e dytë.
“Ne ndryshuam diçka në planin taktik. Mesazhi ishte mjaft i qartë: Ta nisim në mënyrën e duhur dhe krijoni raste. Kur pësoni një gol është koha të jeni më të fortë dhe të vazhdoni”.