Enzo Mareska me telashe, shpreson që ylli i skuadrës të jetë gati për sfidën e së dielës
Çellsi do të luajë në Ligën e Konferencës ndaj armenëve të Noah, por në fushë për londinezët nuk do të zbresë sulmuesi Koll Palmer. I dëmtuar në ndeshjen e fundit në kampionat, lojtari nuk është grumbulluar nga trajneri Enzo Mareska. Ai shpreson ta rikuperojë për ndeshjen e fundjavës në Premier Ligë.
“Palmer nuk u stërvit dje, kështu që ne do të shohim nëse është në gjendje. Ai po rikuperohet, por nuk do të luajë sot në Europë. Të shohim nëse do të rikuperojë për ndeshjen e së dielës.
Ne do të bëjmë disa ndryshime, pasi kemi 25 lojtarë mjaft të mirë dhe të gjithë janë në dispozicion. Sezoni është kaq i gjatë dhe ne kemi kaq shumë ndeshje. Sigurisht, të gjitha do të luhen, Premier Liga, Liga e Konferencës ose FA Kup”, tha Mareska.
Trajneri shtoi se do t’i japë më shumë minuta Zhoao Feliksit.
“Do të doja t’i jepja më shumë minuta në Premier Ligë, por aty kemi nevojë për më shumë ekuilibër në mbrojtje. Nëse ai vazhdon të punojë, do të gjejë momentin e tij në Premier Ligë.”