Erdogan shpall “zona katastrofe” rajonet e përmbytura në Turqi

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shpalli të premten rajonet e përmbytura në veri të vendit si “zona katastrofe”, në një kohë kur bilanci i viktimave të vërshimit të ujërave u ngjit në 27 persona.

Erdogan foli nga rajoni Kastamonu, një nga zonat më të dëmtuara, ku premtoi mbështetje për banorët dhe mori në këmbim një seri duartrokitjesh.

“Sikurse e kam thënë më parë për rajonet e tjera, ne po e shpallim edhe Kastamonun, Bartinin dhe Sinopin rajone të prekura nga katastrofa”, tha presidenti turk.

Përmbytjet, ndër më të këqijat që Turqia ka përjetuar ndonjëherë, shkaktuan kaos në provincat veriore, në një kohë kur autoritetet njoftuan se zjarret që kishin shkatërruar rajonet e bregdetit të jugut për dy javë ishin vënë nën kontroll.

Rrymat e forta të ujërave morën me vete makina dhe grumbulluan mbeturina përgjatë rrugëtimit të tyre, ndërsa shkatërruan ura, akse rrugore dhe dëmtuan sistemet e energjisë elektrike të qindra fshatrave.

Nga 27 viktimat e regjistruara, 25 humbën jetën në rajonin Kastamonu, ndërsa 2 të tjerët në atë të Sinopit, saktësoi Drejtoria vendase për Menaxhimin e Emergjencave.

Ndërkohë, nga zonat e prekura nga ujërat janë evakuuar mbi 1 700 persona, një pjesë e të cilëve nga ajri me helikopterë dhe pjesa tjetër përmes varkave.

LEXO EDHE:

Back to top button