Erdon Daci: Pres fitore në dy ndeshjet, besoj në befasi

Përfaqësuesja e Maqedonisë vazhdon me ditën e dytë të përgatitjeve për ndeshjen eliminatore të EURO 2024 ndaj Ukrainës dhe kontrolluesen kundër Armenisë. I fundit që mori ftesë nga seleksionuesi Bllagoja Milevski, ishte Erdon Daci, me sulmuesin shqiptar që rikthehet në përfaqësuese pas një kohe të gjatë rikuperimi që kishte pas lëndimit.
“Kam pasur probleme të futbollit që i ndodhin secilit, por besoj që i kam lënë pas gjithë këto lëndime dhe tani jam gati. Jam këtu me meritat e mia, pasi kam pasur lëndimin një kohë të gjatë dhe më duhej kohë për tu rikthyer”, ka thënë fillimisht Daci.
“Pres fitore në të dyja ndeshjet. Normalisht takimi ndaj Ukrainës është më i rëndësishëm, pasi është për kualifikuese. Shpresoj ti kem minutat e mia, do të jetë privilegj për mua. Si gjithmonë do të shkojmë për fitore edhe kundër Ukrainës,” u shpreh sulmuesi i Uesterllos.
“Futbolli ka plot befasi dhe nuk është hera e parë që Maqedonia ka befasuar apo mundet të befasojë. Ka kualitet të lartë, ka edhe lojtarë cilësor pse jo mos të befasoj edhe në këtë grup,” tha në fund Daci.
Maqedonia përballet me Ukrainën më 14 tetor, ndërsa 3 ditë më vonë do të zhvillojë miqësoren me Armeninë në Strumicë.