Ertan Demiri, nuk është më drejtor sportiv i SC Gjilani

Ertan Demiri, nuk është më drejtori sportiv i KF “Gjilani”. Lajmin e ka konfirmuar vet Demiri përmes rrjeteve sociale, ku ka shkruar se është vendosur për një hap të tillë, si një akt moral, për shkak të rezultateve të fundit të skuadrës kosovare.
Në vazhdim përcjellin në tërësi reagimin e Ertan Demirit:
Dorëheqje morale!
Të nderuar miq dhe dashamirë të futbollit, në veçanti e nderuara kryesi e klubit SC Gjilani, tifozë, përkrahës dhe mbështetës të klubit. Pas një viti angazhim në postin e drejtorit sportiv – kur përjetuam shumë momente gëzimi, por edhe sfida në ndërtimin dhe hapërimin e klubit drejt përmbushjes së synimeve tona – për shkak të rezultateve të fundit kam vendosur të jap dorëheqje. Këtë ia kam kumtuar edhe kryetarit të klubit, z. Fatlum Pirevës në takimin e mbrëmshëm.
Mbi të gjitha e falënderoj Zotin e pastaj presidencën e klubit për mbështetjen dhe bashkëpunimin në drejtimin e këtij klubi të madh me tifozeri të jashtëzakonshme.
Ndaj bindjen se me këtë kryetar dhe me këtë tifozëri, SC Gjilani ka para vetes një të ardhme të artë!
Njashtu besoj se puna ime do të japë frytet në të ardhmen dhe do të ngelë një shtyllë shtesë drejt suksesit të klubit.
FORCA GJILAN dhe MIRUPAFSHIM!