Eurobondi pret ministrin e ri të Drejtësisë, VMRO me kritika për mosrealizimin e saj

Eurobondi pret ministrin e ri të Drejtësisë, VMRO me kritika për mosrealizimin e saj

Gazetar: Ile Petrevski

Anulimi i eurobondit nga autoritetet në Shkup është i paprecedentë dhe tronditje serioze në tregun financiar botëror. Me këtë lëvizje Maqedonia paraqitet si vend joserioz në sytë e investitorëve, akuzoi opozita. Sipas VMRO-së, qeveria e ka planifikuar këtë skenar për shkak se eurobondi është lëshuar në kohën kur po rikonstruohej Qeveria, në të cilën do të shkarkohej pikërisht njëri nga ministrat nënshkrues.

“Mendoj se kjo realisht do të nënkuptojë rënie të rejtingut kreditor të Republikës së Maqedonisë, që në lëshimin e ardhshëm do të na kushtojë shumë më tepër nga aspekti i interesit”, u shpreh Bojan Stojanovski VMRO-DPMNE.

Sipas VMRO-së, tani është në pikëpyetje kthimi i borxheve dhe me rastin e emetimit të një eurobondi të ri do të duhet të paguhen të njëjtat taksa që ishin paguar para disa ditësh. Opozitarët dyshojnë se ish-ministri i Drejtësisë, Nikolla Tupançevski, kishte frikë të nënshkruante, sepse e dinte se paratë do të shpenzohen në mënyrë të paligjshme. Por, nga Ministria thonë se Tupançevski nuk ka pasur obligim ta nënshkruajë.

“Duke qenë se Tupançevski nuk është ministër i Drejtësisë që nga 13 shkurti, ai nuk ka të drejtë të nënshkruajë si ministër”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Nga ana tjetër, kryeministri thotë se nuk ka asgjë të keqe. Qeveria informoi investitorët se bëhet fjalë për pengesë administrative.

“Do të përsëritet dhe do të jetë gjithashtu i suksesshëm  si ai i mëparshmi, sapo të përfundojë rikonstruktimi i Qeverisë”, tha Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Ministria e Financave para pesë ditëve bëri të ditur se kanë emetuar  eurobond prej 600 milionë eurosh me kamatë 6.25 për qind dhe me afat shlyerje katërvjeçare. Sot ekspertët reagojnë se eurobondi i ri me siguri do të ketë normë më të lartë interesi, dhe kjo do të thotë se qasja e këtillë joserioze e qeverisë do t’i futë qytetarët në borxhe shtesë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button