Eurodeputetët letër Borrellit: A dëshiron në të vërtetë Serbia që t’i bashkohet BE-së?

Deputetë të Grupit Parlamentar të të Gjelbërve në Parlamentin Evropian i kanë shkruar letër Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, duke u ankuar se Serbia po e shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, me blerjen e armëve nga Rusia dhe Kina. Eurodeputetët janë shprehur të shqetësuar me faktin që Serbia s’po vepron njëjtë si Bashkimi Evropian me sanksionet ndaj Rusisë, duke shtruar dyshimin nëse Serbia dëshiron integrimin në BE.

“Pos kësaj, qeveria nuk e ka dënuar agresionin rus dhe numrin e madh të mizorive dhe krimeve të luftës nga forcat ruse në Ukrainë”, thuhet në letër, raporton “N1”.

Sipas këtyre deputetëve, Serbia ka shkel Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe kornizën e përgjithshme për paqe. Letra ka shprehur shqetësimin se “rendi i sigurisë në Evropë është në sulm direkt nga Rusia e Vladimir Putinit”.

“Prandaj, është e rëndësisë së jashtëzakonshme që të ketë përgjigje të fuqishme dhe të bashkuar të të gjithë atyre që janë për demokraci dhe të drejtat fundamentale të njeriut”, thuhet në letër.

Të Gjelbrit kanë shprehur dyshime nëse “Serbia është në të vërtetë e interesuar që t’i bashkohet BE-së” për shkak të politikave të saj në raport me Kinën e sidomos me blerjen e sistemeve raketore së fundmi nga ky shtet.

“Vendimi strategjik për të blerë këto sisteme dhe për t’i marrë në mes të krizës më të rëndë të sigurisë në Evropë ngre shumë pyetje të rëndësishme dhe serioze nëse a) Serbia në të vërtetë e dëshiron integrimin evropian? dhe b) Se për çfarë qëllimesh ka nevojë për sisteme të tilla kur është e rrethuar gjeografikisht nga vende të Bashkimit Evropian dhe të lidhura me BE-në apo NATO-n”, kanë thënë pesë eurodeputetët që kanë vazhduar për armatimin e Serbisë nga Rusia duke shtuar se blerjet rrezikojnë sigurinë rajonale në Ballkan.

Eurodeputetët kanë kërkuar nga Borrelli të ngrejë këto çështje në mbledhjen e ardhshme të Këshillit për Punë të Jashtme dhe të diskutojë direkt me presidentin serb për strategjitë e armatimit si dhe nëse shteti i tij është i interesuar dhe i gatshëm të harmonizojë politikën e jashtme dhe të sigurisë me të BE-së apo jo.

Në javën e dytë të prillit, Serbia u armatos me sisteme raketore nga Kina. Nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kjo u cilësua si “krenaria më e re” e ushtrisë serbe.

Edhe pse Serbia ka votuar në favor të Kombeve të Bashkuara në rezolutat që dënojnë sulmet e përgjakshme ruse në Ukrainë, ajo ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose të kritikojë hapur mizoritë e dukshme të kryera nga trupat ruse atje.

LEXO EDHE:

Back to top button