Eurointegrimi, partitë fajësojnë njëra-tjetrën

Eurointegrimi, partitë fajësojnë njëra-tjetrën

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja në pushtet, fajëson partitë opozitare të cilat, sipas saj, gjatë qeverisjes së kaluar kanë dëmtuar procesin eurointegrues të vendit. Reagimet vinë dy ditë pasi KE-ja mori vendim që të ndajë Maqedoninë nga Shqipëria në rrugën integruese.

“Bujar Osmani, Mariçiq, Kovaçevski dhe Filipçe duhet të turpërohen për atë që i bënë Maqedonisë. Kjo është e barabartë dhe tradhtinë vendosja e Maqedonisë në këtë situatë. Zaev, Kovaçevski dhe Filipçe me vetëdije e vendosën Maqedoninë në këtë skenar të zi, të lihemi vetë në Ballkan dhe të paintegruar. Kjo është pjesë e një strategjie më të gjatë dhe më gjithëpërfshirëse për të cilën punuar të gjithë ata që nuk ja mendojnë të mirën vendit”, tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

Partitë opozitare fajësojnë pushtetin aktual për dështimin e zbatimit të detyrimeve që dalin nga korniza negociuese me BE-në.

“Pushteti nuk mund t’i ikë përgjegjësisë dhe përgjegjësia është e tyre sepse ata janë në qeveri dhe sepse edhe para zgjedhjeve edhe pas zgjedhjeve premtuan se kanë zgjidhje dhe se për gjithçka kanë plan B. Nëse plani B është largimi dhe izolimi i Maqedonisë së Veriut nga integrimi evropian dhe nga vendet e rajonit, atëherë ai është plan i keq për shtetin tonë”, u shpreh Sllavjanka Petrovska, LSDM.

“Sot vendi ynë po përballet me një moment të dhimbshëm, i cili shkakton ndjesi të thella zhgënjimi dhe inati te çdo qytetar që ëndërronte të ardhmen evropiane. Për shkak të dështimit të kësaj qeverie në zbatimin e reformave kushtetuese, Maqedonia e Veriut është sot e ndarë nga Shqipëria në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Ky vendim është pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit politik…”, thonë nga BDI.

Grupet e para të negociatave me BE-në do të hapen zyrtarisht për Tiranën më 15 tetor, sipas një vendimi unanim të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, me hapjen e Kllasterit të Parë – Themeloret. Ky grup përfshin disa kapituj – Prokurimi, Statistikat, Gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria dhe kontrolli financiar. Ky është një lajm i mirë për Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmbushur kërkesat për të avancuar në rrugën e saj në BE, por është një pengesë për Maqedoninë e Veriut, e cila edhe një herë dështoi të bëjë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në BE. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button