Fede Valverde: Ky është momenti im te Real Madridi
Pas tërheqjes së Toni Krosit nga futbolli, mesfushori uruguaian, Valverde është bërë trashëgimtari i tij në Madrid. Ai ka marrë fanellën me numrin 8 të Krosit, teksa në ndeshjen kundër Betisit ka rënë në sy se emri i futbollistit gjerman ka qenë i stampuar në këpucët e lojës së mesfushorit. Mesfushori ka folur për situatën e re që po përjeton te Reali i Madridit pasi Kros vari këpucët në gozhdë.
“Vij me një entuziazëm të madh, i lumtur me mënyrën se si po shkojnë gjërat për mua në Madrid. Nga ky moment i ri me një numër tjetër, një ndjenjë tjetër… I lumtur që gjërat po shkojnë mirë. Ky është një nga momentet më të lumtura për mua te Reali dhe jam duke i shijuar çdo ditë”, është shprehur Valverde.
Duke qëndruar po te tema e Realit të Madridit, Fede Valverde ka theksuar se pavarësisht nisjes me oshilacione të sezonit, Reali do të kthehet në normalitetin e tij.
“Pritshmëritë për ne janë gjithnjë të mëdha. Nga ne pritet të fitojmë çdo ndeshje, kjo është e qartë. Kështu ka qenë gjithnjë. Ky fillim sezoni ka qenë disi ndryshe. Megjithatë kundër Betisit kemi dhënë sinjale të qarta. Jam i bindur se shpejt do të jemi në nivelin tonë më të mirë”, deklaroi uruguaiani.
Duke folur për Realin, kapiteni aktual i Uruguait ka pasur një moment për të folur edhe për njoftimin e fundit të Luis Suarezit, i cili do të tërhiqet nga kombëtarja pas ndeshjes në shtëpi kundër Paraguait.
“Duhet të respektojmë vendimin e tij. Ai meriton vetëm falënderime për gjithë këto vite që na dha mundësi, këshilla ne të rinjve… Ai meriton vetëm fjalë mirënjohjeje”, deklaroi ai.