Feliksi përgatit rikthimin në Premier Ligë, por jo te Çellsi

Zhoao Feliks është në një udhëkryq të vërtetë sa i takon të ardhmes së tij. Sulmuesi portugez është rikthyer te Atletiko Madridi pas eksperiencës si i huazuar te Çellsi, por që është tërësisht jashtë planeve edhe të “Los Colchoneros”. Një mundësi për të ardhmen e Feliksit ishte Paris Sen Zhermeni, por francezët kanë hequr dorë dhe së fundmi në skenë del Aston Villa.
Anglezët synojnë që ta transferojnë Feliksin me anë të formulës së huazimit dhe menaxheri i 23-vjeçarit, Horhe Mendes ka nisur punën në këtë drejtim. Në aventurën e tij të parë në Premier Ligë, Feliks nuk mundi të shkëlqente dhe në 20 ndeshje me Çellsin mundi të shënonte vetëm katër gola.
Megjithatë, te Aston Villa besojnë se Feliks mund të dallohet në Angli nën drejtimin e trajnerit Unaj Emeri. Mbetet për t’u parë si do të vijojnë tratativat në ditët e ardhshme, teksa vendimtare do të jetë edhe vetë dëshira e lojtarit duke qenë se Feliksi pretendon një klub me emër të madh.