Fëmijët në Siri organizuan Kupën e tyre Botërore

Për të tërhequr vëmendjen për vuajtjet e sirianëve të prekur nga lufta 11-vjeçare, me iniciativën e një organizate joqeveritare lokale në këtë vend, mbi 300 fëmijë nga veriperëndimi i Sirisë filluan Botërorin e tyre në futboll.
Në stadiumin e Idlib, lojtarët e rinj të ndarë në 32 skuadra, që përfaqësonin kombet e kualifikuara për Kupën e Botës në Katar, morën pjesë në ceremoninë e hapjes, e cila pasqyroi veçanërisht vuajtjet e fëmijëve. Gjatë luftës në këtë vend, rreth gjysmë milioni njerëz vdiqën dhe disa milionë u shpërngulën.
Gara hapet me një ndeshje mes dy skuadrave që përfaqësojnë Katarin dhe Ekuadorin, duke simuluar ndeshjen hapëse të luajtur në Doha të dielën.
“Është hapja e Kupës së Botës në të cilën morën pjesë fëmijë nga mosha 10 deri në 14 vjeç”, tha për AFP Violeta Ibrahim Sarmini, koordinatore e OJQ-së.
Nga 32 ekipet pjesëmarrëse, 25 përbëhen nga fëmijë që jetojnë në kampet e personave të zhvendosur në Idlib, bastioni i fundit i madh i xhihadistëve dhe rebelëve në Siri. Shtatë të tjerët përbëhen nga fëmijë që punojnë në zonat industriale të rajonit.

“Unë përfaqësoj Spanjën dhe shpresoj që ta fitojmë Kupën së shpejti,” tha Bassel Cheyho, një 12-vjeçar që punon në një garazh.
“Përveç dëshirës për të inkurajuar fëmijët të merren me sport, ky aktivitet synon të tërheqë vëmendjen e publikut ndërkombëtar për problemet e të rinjve të zhvendosur dhe punëtorëve në grupe që janë më të ekspozuar ndaj rreziqeve që ndonjëherë janë fatale”, tha Sarmini.
Kupa e Botës në kamp do të vazhdojë gjatë Kampionatit Botëror të Katarit, ndërsa finalja do të zhvillohet në kampin në Idlib.