FIFA: Maqedonia shënon ngritje për dy vende, Kosova për herë të parë mes 100 kombëtareve më të mira
Përfaqësuesja e Maqedonisë ka shënuar ngritje për 2 vende në përditësimin e fundit të listës së kombëtareve nga FIFA. Maqedonia pas dy fitoreve në muajin nëntor, ndaj Letonisë dhe Ishujve Faroe, tani mban pozitën e 67-të, me 1368 pikë.
Kombëtarja e Shqipërisë nuk shënon asnjë lëvizje dhe mbetet në pozitën e 65-të me 1375 pikë.
Ndërkohë kombëtarja e Kosovës është ngjitur në pozitën e 99-të, që është më e larta që e ka pasur ndonjëherë që nga pranimi në UEFA e FIFA. Në ndeshjet e nëntorit, Kosova mposhti Lituaninë 1:0, ndërsa me Rumaninë humbi me rezultat zyrtar 0-3. Ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve, “Dardanët” do ta kërkojnë në “plejofin” kundër Islandës, më 20 dhe 23 mars.
Në dhjetëshen e parë nuk ka pasur ndryshime, ku Argjentina është në vendin e parë para Francës, Spanjës, Anglisë, Brazilit, Portugalisë, Holandës, Belgjikës, Italisë dhe Gjermanisë.