Filipçe paralajmëron ligj special për Koçanin: Të bisedojmë për të gjitha tragjeditë

Filipçe paralajmëron ligj special për Koçanin: Të bisedojmë për të gjitha tragjeditë

Gazetar: Suad Bajrami

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe në intervistën për Alsat paralajmëroi se në Kuvend do të dorëzojnë ligj special për tragjedinë e Koçanit, me qëllim që t’u dilet në ndihmë familjarëve të viktimave dhe të lënduarve.

“ Grupi ynë parlamentar përgatit ligj special për Koçanin të cilin do ta dorëzojmë në Kuvend javën e ardhshëm. Ai është ligj sipas shembullit të vendeve tjera në botë, ku kanë ndodhur kësi tragjedi, me çka me ligj të posaçëm u ofrohet mbështetje dhe ndihmë të posaçme para se gjithash financiare, me qëllim që familjet t’i mbulojnë më lehtë shpenzimet që i kanë rreth asaj që ka ndodhur, pastaj për familjet që kanë të lënduar dhe ndihmë e posaçme që të forcohet sistemi atje ku mendojmë se duhet të bëhet”, tha Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Në Kuvend ndërkohë ka një iniciativë nga VLEN për komision parlamentar jo vetëm për Koçanin por edhe për tragjeditë e tjera. Për këtë, Filipçe shprehet:

“Ne nuk kemi kurrfarë problemi që të diskutojmë për gjithçka që ka ndodhur në të kaluarën, përderisa është objektive dhe bazohet në parime të vërteta”, u shpreh Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Megjithatë, nga VMRO-DPMNE paralajmëruan se nuk do të mbështesin një ligj të tillë. Sipas deputetit Bojan Stojanovski, qeveria në tërësi po i mbështet financiarisht familjet e viktimave dhe të lënduarve. Sipas tij, është indikative që Filipçe propozon ligj për Koçanin ndërsa s’ka propozuar ligje të tilla për tragjeditë paraprake.

“Nuk do ta mbështesim këtë zgjidhje ligjore pasi në këtë moment, Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE do t’i dyfishojë apo trefishojë mjetet të cilat i ndan për të gjitha komunat me qëllim që t’i ndihmojë Komunës së Koçanit…Ajo që është indikative pse Venko Filipçe tani në këtë moment propozon ligj të tillë për ndihmë të këtyre njerëzve dhe nuk ka propozuar ligj të tillë për ata persona që e kanë humbur jetën në zjarrin e spitalin modular, ato që i kanë humbur jetët e tyre në tragjedinë në Llaskarcë dhe Bullgari. Kështu që përgjigja e kësaj pyetje është e qartë. Familjet e viktimave dhe të lënduarve tërësisht do ta kenë mbështetjen e Qeverisë”, theksoi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Në tragjedinë e diskotekës Puls në Koçan kanë humbur jetën 62 persona ndërsa rreth 200 të tjerë janë lënduar. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button