Filipçe prezanton “Frontin për të vërtetën dhe drejtësi”, pret të bëhet kryeministër
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kreu i socialdemokratëve Venko Filipçe paralajmëron Frontin për të vërtetën dhe drejtësinë, duke theksuar se në këtë nismë janë kyçur grupe të ndryshme shoqërore intelektualë, individë, aktivistë dhe subjekte politike.
“Programi ynë i përbashkët “Fronti për të vërtetën dhe drejtësi” ka katër shtylla kryesore. E para, zero tolerancë për korrupsion dhe drejtësi evropiane. E dyta, të ardhme për të rinjtë, e treta, jetë më dinjitoze për të gjithë, standard më të mirë të jetës dhe e katërta, fshat dhe bujq më të fuqishëm, tha mes tjerash Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Filipçe vlerëson se shteti po shkon drejt një kolapsi financiar duke theksuar se borxhi publik është rritur për dy miliard euro ndërsa nga buxheti i shtetit mbushen arkat e kompanive të afërta me VMRO-në. Frontin thotë se do ta krijojë pas zgjedhjeve të ardhshme kur është i bindur se do të bëhet kryeministër.
“Kjo do të thotë se korrupsionin e lartë, ministra, deputetë, tenderë të mëdha me shuma të mëdha me para të popullit do të mund ti hetojnë edhe prokurorët evropianë. Një pjesë e zbatimit do të mbulohet nga IPA fondet e BE-së plus buxheti i Prokurorisë Publike. E dyta, themelimi i Drejtorisë Kombëtare Antikorrupsion sipas modelit të DNA-së në Romani. Drejtori do të zgjidhet me 2/3 e votave në Kuvend kështu që nuk do të mundet të ndikojë asnjë parti politike apo ta kontrollojë”, shtoi më tej Filipçe.
Filipçe tha se me ligj parashihet që të gjithë tenderët do të procedohen në mënyrë digjitale duke paralajmëruar digjitalizim të plotë të furnizimeve publike./Alsat.mk








