Rasti “Besa Trans”, pronari tha se nuk ndjehet fajtor

Rasti “Besa Trans”, pronari tha se nuk ndjehet fajtor

Gazetar: Ardit Ramadani

Autobusi i Besa Trans në të cilin vitin e kaluar në Bullgari humbën jetën 45 persona, pa pasur certifikatë të licencës për transport ndërkombëtar ia ka dalë që për një vit të kalojë kufirin 20 herë, tha prokurori Vlladimir Miloshevski në seancën gjyqësore, në të cilën menaxheri dhe pronari i Besa Trans akuzohen për falsifikim të licencës për transport ndërkombëtar. Përkundër kësaj, pronari i Besa Trans, Bekim Haxhiu tha se nuk ndjehet fajtor. Autobusi i cili nga kompania Besa Trans është blerë në vitin 2020, më së shpeshti, përkatësisht 10 herë, gjatë vitit 2021 ka kaluar në pikën kufitare Deve Bair dhe ka udhëtuar në relacionin nga Shkupi në Stamboll, nëntë herë ka kaluar përmes pikës kufitare Bllacë, për në relacionin Shkup- Prizren apo Dibër si dhe njëherë ka kaluar përmes pikës kufitare Qafëthanë.

Në gjykatë dëshmuan përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, të cilët janë kompetent për dhënien e licencave. Sipas tyre, Besa Trans ka pasur licencë për transport ndërkombëtar të udhëtarëve.

Por, bashkë me licencën jepen edhe certifikata të posaçme për secilin prej automjeteve. Sipas dëshmive, certifikata të licencës për transport ndërkombëtar Besa Trans ka pasur për pesë autobusë, por jo edhe për autobusin në të cilin humbën jetën 45 persona në Bullgari.

Megjithatë, mbrojtja e Besa Trans këmbëngul se nuk ka pasur falsifikim të dokumentit dhe kërkojnë që të mos ndiqen për këtë vepër. Në pyetjen e gazetarëve se si ka kaluar kufirin disa herë autobusi famëkeq, pa pasur certifikatën e licencës, avokati mbrojtës me përgjigje:

“Kjo është pyetje për organet e hetuesisë, më saktë për doganën, si automjeti, i cili për fat të keq, një vit më herët u dogj në Bullgari, e ka kaluar kufirin. Në rastin konkret, ne kemi akuzë ku akuzohemi për falsifikim të dokumentit, në rastin konkret, as i akuzuari i parë, as i akuzuari i dytë, as nuk kanë bë dokument të rremë, as nuk e kanë korrigjuar ndonjë të vërtetë për ta shfrytëzuar, aq më pak, nuk kanë shfrytëzuar licencë të rreme për të pikat kufitare në vendin tonë”, deklaroi Asmir Alispahiq, avokati mbrojtës.

Sipas mbrojtjes, është e saktë se autobusi nuk ka pasur certifikatën e licencës kjo sepse autobusi është blerë gjatë krizës me virusin korona dhe rrethanat kanë qenë të tilla. Alispahiq shtoi se përfaqësues të Besa Trans disa herë kanë dërguar kërkesë për atë dokument. Aksidenti tragjik ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, mes të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan. Gjykimi për këtë rast vazhdon me 23 dhjetor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button