Finance Think: Shqetëson rritja e deficitit buxhetor
Finance Think: Shqetëson rritja e deficitit buxhetor

Finance Think ndan vlerësime pozitive për projeksionet makro-ekonomike duke i quajtur ato realiste, por nga ana tjetër shpreh shqetësimin lidhur me shpenzimet e përgjithshme të cilat sipas shifrave rriten me 19,2 miliardë denarë në krahasim me planin bazë buxhetor për vitin 2024. Në një analizë lidhur me Propozimin e Rebalancit të Buxhetit, thekson se deficiti buxhetor shënon një rritje dramatike, nga parashikimi 3,4% në 4,9% të Prodhimit Bruto Vendor. Finance Think shpreh shqetësimin se ky zgjerim i deficitit buxhetor është një largim nga rruga e konsolidimit fiskal. Në një masë të caktuar, zgjerimi i deficitit buxhetor është rezultat i premtimit politik për një rritje lineare të pensioneve prej 2,500 denarësh në shtator 2024, pra gjithsej 5,000 denarë në mars të vitit të ardhshëm.
“Me rregullimin linear të shtatorit, kostoja e pensioneve është pothuajse dy herë më e madh se përshtatja e rregullt e pensioneve me kostot e jetesës dhe pagën mesatare, dhe kjo po e nxit thellimin e deficitit të ri të projektuar”, thonë nga Finance Think.
Për sa i përket financimit të deficitit buxhetor, është i nevojshëm sigurimi i fondeve sikurse propozimi i qeverisë së re për kredinë dypalëshe nga qeveria hungareze në shumën e 500 milionë eurove me afat shlyerje 15 vjeçar, duke përfshirë një grejs periudhë 3-vjeçare dhe me normë interesi prej 3.25%. Në debatin publik u anashkalua vazhdimisht fakti se financimi i deficitit buxhetor përmes buxhetit bazë parashikohej nëpërmjet emetimit të një eurobondi, pa specifikuar shumën e tij dhe periudhën e huamarrjes.
“Huamarrja nga një partner dypalësh, duke injoruar komponentin e mundshëm politik, me kushte më të favorshme se ato aktuale të tregut, duket të jetë një hap konstruktiv, edhe pse norma e interesit e çdo huamarrjeje është aktualisht më e lartë se realizimi i rritjes ekonomike në vend” ,thonë nga Finance Think.
Sipas Eurothink, çështja kryesore mbetet përdorimi i këtyre fondeve për qëllime zhvillimi, përkatësisht për projektet investuese të kompanive që ende nuk janë realizuar, si dhe projektet e reja kapitale të komunave, për të mbuluar borxhet e krijuara nga menaxhimi joracional i financave publike lokale. /Alsat.mk